Lajme

Mijëra spanjollë demonstruan kundër abortit në Madrid


Mijëra njerëz demonstruan kundër abortit të dielën më 12 mars në qendër të Madrid-it, disa javë pasi Parlamenti spanjoll votoi një ligj që zgjeronte aksesin për ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë, një praktikë e dekriminalizuar në Spanjë gati 40 vjet më parë.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Duke mbajtur balona jeshile me sloganin “Po jetës” dhe pankarta në të cilat ishte shkruar, për shembull, “Një njeri, nga 0 deri në 100 vjeç”, protestuesit – që numërojnë 23 mijë sipas autoriteteve lokale – ecën nëpër disa rrugë të kryeqytetit spanjoll.

Kjo ngjarje vjetore u zhvillua me thirrjen e platformës “Sí a la vida” (“Po jetës”).

“Ne kemi ardhur për të mbështetur një kauzë të mirë”, u tha gazetarëve Iván Espinosa de los Monteros, zëdhënës i partisë së ekstremit të djathtë “Vox” në Kongresin e Deputetëve, duke akuzuar qeverinë e krahut të majtë të Pedro Sánchez për promovimin e “ligjeve të vdekjes”.

Më 16 shkurt, deputetët spanjollë miratuan një ligj që forcon aksesin ndaj abortit në spitalet publike, të cilat kryejnë më pak se 15 për qind të aborteve në Spanjë, një vend me traditë katolike, veçanërisht për shkak të kundërshtimit të një mase mjekësh.

Për shkak të kësaj situate dhe gjithashtu mungesës së një klinike të specializuar pranë, gratë ndonjëherë duhet të udhëtojnë qindra kilometra për një abort.

Ky ligj gjithashtu i lejon të miturit të abortojnë pa autorizimin e prindërve që nga mosha 16 vjeç, duke anuluar një detyrim të vendosur nga një qeveri konservatore në vitin 2015, duke futur në të njëjtën kohë “pushimin menstrual” për gratë që vuajnë nga menstruacionet e dhimbshme, një masë e paprecedentë në Evropë.

Aborti u dekriminalizua në Spanjë në 1985, më pas u legalizua në 2010.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore