Lajme

Mijëra balena vriten çdo vit nga goditjet e anijeve


“20 mijë balena vriten çdo vit nga goditjet e anijeve”.

Është ky përfundimi i nxjerrë pas një hulumtimi të kryer nga organizata jofitimprurëse “Friend of the Sea”.

Në një prononcim për Albanian Post, nga “Friend of the Sea” bëjnë me dije se kjo është një shifër alarmante, veçanërisht duke marrë parasysh sa afër zhdukjes janë disa specie, si balena e Atlantikut të Veriut.

Organizata ka specifikuar njëmbëdhjetë pika kyçe, ku goditjet janë kthyer në më se të zakonshme.

Këto janë zona, ku korsitë e transportit detar kalojnë zonat kryesore të ushqimit dhe mbarështimit të balenave.

Speciet e rrezikuara të balenave, që kërcënohen nga goditjet e anijeve, përfshijnë: balenat blu në Sri Lanka, balenat në Ishujt Kanarie dhe balenat me gunga në Panama.

Vetëm në Mesdhe, bën me dije organizata, 220 mijë anije kalojnë detin çdo vit dhe 30 për qind e trafikut detar të botës niset ose mbërrin në pellgun e Mesdheut.

Shkaqet kryesore të përplasjeve janë kompanitë e transportit detar, linjat e lundrimit dhe skafet me shpejtësi.

Për shkak se problemi është kryesisht tregtar, një pjesë e zgjidhjes duhet të vijë nga industria.

Komisioni Ndërkombëtar i Gjuetisë së Balenave (IWC) aktualisht po bashkëpunon me agjenci të tjera për të gjetur një zgjidhje për problemin, duke prodhuar një pamflet të krijuar për të ndihmuar në reduktimin e përplasjeve të balenave.

Pavarësisht këtij hapi të vogël në drejtimin e duhur, është e vështirë të vlerësohet nëse puna ka pasur ndonjë ndikim në përplasjet, aq më pak në popullatat e balenave.

“Bashkëpunim me kompanitë e transportit detar”

Friend of the Sea synon të punojë me kompanitë e transportit detar për t’u bërë pjesë e zgjidhjes për balenat.

Organizata jofitimprurëse rekomandon që të gjitha anijet të kenë një program vëzhgimi të gjitarëve detarë me kohë të plotë në bord, duke mbuluar një minimum prej 120 gradë përpara anijes.

Anijet mund të përdorin gjithashtu sisteme online për të raportuar dhe për t’u informuar për pamjet e gjitarëve aty pranë. Është gjithashtu thelbësore që të krijohet një plan për mënyrën e reagimit ndaj balenave aty pranë dhe për të shmangur goditjet e anijeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore