Teknologji

Microsoft-i ndërpret donacionet për disa anëtarë të Kongresit


Kompania teknologjike, Microsoft, ka njoftuar se do të pezullojë të gjitha donacionet për zgjedhjet e ardhshme të vitit 2022, për çdo anëtarë të Kongresit, zyrtarë të shtetit apo organizata që votuan kundër certifikimit të rezultatit në zgjedhjet e vitit 2020 dhe që mbështetën përpjekjen për të përmbysur zgjedhjet.

The Verge, faqe kushtuar të rejave teknologjike, bën me dije se Microsoft-i pezulloi përkohësisht të gjitha kontributet politike pas trazirave në Capitol-in e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë, kompania njoftoi se ky vendim do të kthehet në të përhershëm për zgjedhjet e ardhshme për ata politikanë që kërkonin përmbysjen e fitores së presidentit Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020.

Sipas The Verge, kompania ka njoftuar edhe nxjerrjen e programit të ri të quajtur Iniciativa Përpara Demokracisë. Në vend që të mbështesë politikanët, iniciativa është projektuar si një rrugëdalje për punonjësit për të mbështetur organizatat që kërkojnë të miratojnë reformën e financimit të fushatës dhe që mbrojnë të drejtat e votës.

Ndryshimi do të reflektohet edhe te emri. Nga Komiteti i Veprimit Politik të Microsoft-it (MSPAC) do të bëhet Korporata Vullnetare e Partnerëve të Microsoft-it (MSVPAC). Sipas The Verge, ky ndryshim bëhet për të reflektuar idenë se grupi financohet ekskluzivisht nga donacione vullnetare të palëve të interesuara të Microsoft-it.

Mirëpo, ky ndryshim nuk është i vetmi nga sektori i kompanive teknologjike. Edhe Google-i ka ndaluar në muajin janar financimin e anëtarëve të Kongresit që kërkuan përmbysjen e zgjedhjeve të vitit 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore