Momente

Michael Hunter sfidon hapur fituesin e ndeshjes AJ – Fury


Michael Hunter (19 – 1 – 1), boksier amerikan i peshave të rënda, deklaron që “premton” se do të zërë radhën si sfidues i detyrueshëm nga fituesi mes Anthony Joshua-s dhe Tyson Fury-t. Hunter, siç ka dhe mbiemrin, që do të thotë gjuetar, i ka sytë te titulli i IBF-së (Federata Ndërkombëtare e Boksit) dhe pret t’ja fitojë njërit prej kampionëve britanik.

Tashmë është njoftuar se me 16 mars, Joshua dhe Fury kanë nënshkruar kontratën në kuadër të zhvillimit të një tjetër “ndeshje shekullore”, e cila parashikohet të tejkaloj përmasat e asaj të legjendare midis Muhamed Ali dhe Joe Frazier.

Kampionët britanik kanë vendosur çdo titull që zotërojnë në valle, nga çdo federatë, shoqëri dhe organizatë ndërkombëtare boksi, me synimin që të shpallet një kampion absolut dhe i padiskutueshëm.

Hunter pret duelin me kroatin Filip Hrgovic. Paraprakisht ndeshja ishte planifikuar të zhvillohej në 27 shkurt 2021, por interesat kontraktuese të secilës palë dhe situata aktuale e pandemisë Covid-19, bën që ndeshja të shtyhet për një datë të mëvonshme; bëhet fjalë për këtë vit.

Fituesi i Hunter – Hrgovic do të jetë pretendent i drejtpërdrejtë për titullin e IBF-së. Natyrisht që ky është skenari i dëshiruar nga Hunter – të mposhtë Hrgovic-in dhe të kërkojë ndeshje me fituesin e AJ (Anthony joshua) – Fury.

“Ende nuk e di se ç’po bluhet sepse në këtë sport përfshihen shumë faktor dhe fillojnë disa gjëra njëkohësisht, por mendoj se kam shansin të marrë atë çka meritoj. Dua ta fitoj (rripin e IBF-së), ta kem timin dhe të shkëlqejë”, i tha Hunter Sky Sports.

të dy palët e përfshira në ndërtimin e kësaj supër ndeshjeje midis AJ dhe Fury, janë kyçur në një marrëveshje prej disa muajsh, por, sipas Eddie Hearn, menaxherit të AJ-it, konkretizimi i kësaj marrëveshje do të njoftohet në tre javët e ardhshme.

Hunter favorizon më tepër Fury-n – gjë që e shpreh teksa pyetet nga Sky Sports:

“Joshua do ta ketë shumë të vështirë. Unë shoh Fury fitues në atë dyluftim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore