Lajme

MH17, Putini ishte furnizuesi i raketës që rrëzoi avionin


Ka indikacione shumë të forta se presidenti rus, Vladimir Putin, vendosi të furnizonte raketën që rrëzoi fluturimin MH17 në vitin 2014.

Kështu kanë deklaruar hetuesit ndërkombëtarë.

Avioni u godit nga një raketë e prodhuar nga Rusia mbi Ukrainë, duke vrarë afro 300 njerëz.

Prokurorët thanë se ka prova se Putin-i vendosi t’u jepte raketën separatistëve të mbështetur nga Moska.

Nuk ka asnjë sugjerim se Putin-i ka urdhëruar që avioni të rrëzohet.

Në nëntor, një gjykatë holandeze shpalli tre burra – dy rusë dhe një ukrainas – fajtorë për vrasje në mungesë për pjesën e tyre në rrëzimin e MH17-s.

Rusia, e cila ka mohuar çdo përfshirje në rrëzimin e aeroplanit, i hodhi poshtë këto vendime si “skandaloze” dhe të motivuara politikisht.

Prokurorët thanë të mërkurën se kishin shteruar të gjitha pistat dhe nuk mund të vazhdonin më procedimin penal.

Boeing 777 po fluturonte nga kryeqyteti holandez për në Kuala Lumpur, kur u godit nga një raketë tokë-ajër e prodhuar nga Rusia në korrik 2014.

Kjo, gjatë një konflikti midis rebelëve pro-rusë dhe forcave ukrainase në rajonin Donbas të Ukrainës.

Nga 298 pasagjerët dhe ekuipazhi, 196 ishin holandezë, ndërsa shumë nga pasagjerët e tjerë vinin nga Malajzia, Australia, Britania e Madhe, Belgjika dhe vende të tjera.

Në një deklaratë, Ekipi i Përbashkët Hetimor tha se gjykata vendosi se Moska kishte “kontroll të përgjithshëm” mbi Republikën Popullore të Donetsk, e cila kontrollonte zonën në korrik 2014.

Ai citoi biseda telefonike të regjistruara ku zyrtarët rusë thanë se vendimi për të ofruar mbështetje ushtarake “i takon Presidentit”.

“Ka informacione konkrete se kërkesa e separatistëve i është paraqitur presidentit dhe se kjo kërkesë është miratuar”.

Por shtohet se nuk dihet nëse kërkesa “përmend në mënyrë eksplicite” sistemin e përdorur për të rrëzuar MH17.

“Edhe pse flasim për indikacione të forta, niveli i lartë i provave të plota dhe përfundimtare nuk arrihet”, thanë hetuesit.

“Për më tepër, Presidenti gëzon imunitet në pozicionin e tij si kreu i shtetit”.

MH17: vendimi i gjykatës për çështjen holandeze kundër Rusisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore