Lajme

Metroja – “Qyteti i nëndheshëm” i Kievit që pret 15 mijë banorë çdo natë


Funksionin nuk e ka të tillë, por që prej fillimit të bombardimeve ruse mbi Ukrainë, metroja e Kievit është kthyer në një qytet të vërtetë nëntokësor.

Deri në 15 mijë qytetarë, mblidhen çdo natë aty.

Të sajuar me çadra, dysheqe, batanije, banorët ndihen më të sigurt aty.

Sipas zyrtarëve në Ukrainë, në metronë e qytetit, ka vend në tërësi për 100 mijë njerëz. Ndaj, kapaciteti është ende larg plotësimit.

Megjithatë, një laj i mirë është se gjithçka funksionon aty. Tualetet janë funksionale dhe kanë ujë të mjaftueshëm. Ushqimi dhe mjekimet, janë siguruar nga Qeveria.

Personazh i vërtetë aty, është edhe shefi i metrosë, Viktor Brahinsky, të cilit në kohë lufte, i ka rënë detyra të administrojë jetën nëntokësore të Kievit.

“Shumë qytetarë nuk kanë ku të shkojnë”, shpjegon ai. “Disa metra në tokë dhe një batanije, janë bërë tashmë shtëpia e tyre.

Një apel po ashtu, nuk mungon as ndaj banorëve të tjerë të Kievit, të cilët edhe pse nuk e kalojnë natën në metro, mund të ndihmojnë.

“Ne i kërkojmë atyre të sjellin rroba të ngrohta, ushqime apo çfarë t’u gjendet, që mendojnë se mund të ndihmojë – sidomos për nënat me fëmijë të vegjël dhe gratë e moshuara”.

Me bombardime të njëpasnjëshme, jeta sipërfaqësore e Kievit nuk i ngjan aspak asaj nëntokësore.

Pavarësisht se kjo e dyta është momentalisht më e sigurt, sërish përjetohet si surreale nga ata, të cilët metronë, e quajnë tashmë shtëpi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore