Shqipëria

Metën s’po e mban më vendi si President


Që Presidenti Meta e kishte parë si mburojë personale institucionin që përfaqësonte, dihej.

Që e humbi fillin, në prag të zgjedhjeve të fundit, edhe kjo u pa.

Dhe sërish, në prag të seancës së Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e tij, Presidenti Meta harron rolin dhe hidhet në sulm, si të ishte përpara fushatës elektorale.

Ajo çfarë ra më shumë në sy gjatë daljes së Ilir Metës President, në emisionin televiziv “Opinion”, mbrëmjen e të mërkurës, është fakti se Presidenti Meta – sërish – nuk na shfaqet më si i tillë.

Këtë herë, madje, e pranon edhe me një prepotencë përqeshëse.

Shpalli datën e zgjedhjeve për bashkitë vakante dhe me shpresën se nën hyqmin e tij LSI do të rikuperohet, synon të dalë si lideri i një opozite të re në të ardhmen e afërt.

Në njëfarë mënyre, Meta vetë e pranoi se si dikur Rama e sot Basha, po kërkojnë ta heqin qafe politikisht.

Dhe, përgjigjen e kishte më se të qartë: Pas mandatit, Ilir Meta “nuk rikthehet aktiv në politikë, por superaktiv, si një 18-vjeçar”.

Nuk kishte një çast të vetëm ku atij t’i shtroheshin pyetje për Lulzim Bashën apo Edi Ramën dhe ai, të mos i përqeshte haptazi, shpesh edhe duke e çuar klithmën në nivele sarkastike.

Nuk kishte asnjë rast kur flitej për “trekëndësh Bermude” apo shkarkim, të cilin ai nuk e talli haptas në “prime time”.

Në disa çaste, madje, nuk ngurroi as të ironizonte pozicionin e lartë që mbart, siç ka bërë edhe jo pak herë gjatë mandatit që ka mbajtur.

Për shembull, Meta ishte ai, i cili tha se deri para 25 prillit, mund të ketë pasur edhe qëllim kërkesën për një mandat të dytë presidencial – gjë të cilën zgjedhjet “komplotistë kundër demokracisë”, ia vranë!

Ai institucionin që drejton, e cilësoi si me pak kompetenca dhe kërkoi që ato të shtohen.

Vetë forcën politike që ka krijuar dhe drejtuar për shumë vjet, Lëvizjen Socialiste për Integrim, e qortoi disa herë, sepse nuk e dëgjoi atë nga pozita e Presidentit, për të mos i djegur mandatet.

Madje, ia bëri të qartë se “disa fjalë, i ka (me-ta) sapo të përmbyllë 5-vjeçarin presidencial”.

Edhe nga pozita e lartë ku gjendej, Meta e pa çfarë donte të shihte dhe dëgjoi çfarë donte të dëgjonte.

Diçka e sigurt, është ajo çfarë ai nuk donte – vetë Presidencën.

Politikanin Meta nuk po e zë më vendi për t’u çuar nga ajo karrige e për të dalë në sheshmejdan.

Pesë vjetët e ardhshme, i ka të përllogaritura – me popullin, në terren, “për të mbrojtur Kushtetutën”.

Po të njëjtën Kushtetutë, ai e ka shkelur duke e thyer në më shumë se një rast.

Me daljen e tij në fillim vitin e fundit presidencial, Meta vrau vetveten President, i cili përqeshi këdo, përfshi edhe atë çfarë përfaqëson dhe shpalli kandidaturën si lider opozite.

A do arrijë ta vendosë veten sërish në vendin e duhur, në momentin e duhur? Si zor do jetë!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore