Shqipëria

Meta s’ka frikë nga “non grata”: Kam raport të shkëlqyer me SHBA-të


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk i trembet një shpalljeje të paralajmëruar si non grata nga ana e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ka theksuar më parë se Metën dhe Edi Ramën, ashtu si Berishën, i pret përcaktimi i tillë nga amerikanët.

“Ato akuza janë të kota dhe mediatike” tha Meta. “Unë gëzoj raporte të shkëlqyera me SHBA-të. Gjithnjë kam pasur marrëdhënie të shkëlqyer dhe vijoj të kem”.

Meta foli edhe mbi raportet e tij me Berishën e Bashën, teksa këtij të fundit i është referuar thjesht si deputet i Parlamentit të Shqipërisë dhe jo si kryetar i PD-së.

“Jam përpjekur t’i qëndroj afër dhe ta ndihmoj zotin Basha, duke i treguar rrugët për ta shpëtuar nga rruga që ai ndoqi. Tani e kam të pamundur ta ndihmoj më. Le të vijojë rrugën që ka zgjedhur”.

Gjithsesi, akuzat nuk ia kursen kryedemokratit. Ai Bashën e përcakton si armiqësor karshi të vërtetës. Mbi të gjitha, kur këtë ia ka thënë vetë Meta.

“Ai ka bërë të kundërtën e asaj që i kam kërkuar dhe që është e drejta, duke nisur që nga bojkoti i zgjedhjeve, çështja e Teatrit Kombëtar si dhe prishja  marrëveshja së 5 qershorit, i cili mori udhëzimin për prishjen e kësaj marrëveshje”.

Ndërsa, me Berishën, ai tha se raportet i ka të mira, por në distancë. Kjo, pasi ka kohë pa e takuar atë.

Sa i përket kryeministrit Rama, Meta raportet, i ka institucionale. Megjithatë, ai shton se ato janë korrekte, në institucionalitetin e tyre.

Ndërsa, se çfarë flitet për të nga kreu i Qeverisë, nuk e shqetëson aspak.

Meta i “papenduar”

Kreu i Shtetit, Ilir Meta, nuk është i penduar aspak që e ka pranuar përpara pesë vjetësh postin e Presidentit të Republikës, por padurimin që ai ta lërë këtë karrige pushteti, nuk e fsheh.

I ftuar në emisionin “Quo Vadis” në Vizion Plus, Meta ka folur mbi zgjedhjen e tij në Presidencë.

“Unë jam zgjedhur me propozim të socialistëve, pasi Partia Demokratike e refuzoi ofertën për të marrë postin”, tha ai.

Gjithsesi, nuk e ka mohuar se zgjedhja e asaj kohe, ka qenë e imponuar nga rrethanat. Por, ai nuk është pishman mbi pranimin e detyrës.

Madje, Meta u shpreh edhe krenar për atë çfarë ka bërë në pesë vjetët e tij në Presidencë.

Gjithsesi, data e largimit të tij nga institucioni, nuk është e largët. Në korrik, Meta do ta lërë postin. Të ardhmen politike, e ka të qartë.

“Unë për sa kohë jam president, nuk dua të përgjigjem të ardhmes politike. Por, pas korrikut, do të jem në tjetër pozitë dhe më i hapur për çdo pyetje tjetër”.

Teksa, në emisione të mëparshme, ai e ka theksuar se jo vetëm që do të zbresë aktiv në arenën politike, por do të jetë “super aktiv”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore