Shqipëria

Meta: Shqipëria, përkeqësim në luftën kundër korrupsionit


“Mjaft korrupisonit! Mjaft Pandëshkueshmërisë!”.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, pas publikimit të raportit nga organizata gjermane Transparency International (TI), ka theksuar se ndërsa shtetet e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës kanë “shënuar progres të ndjeshëm në luftën kundër korrupsionit, vendi ynë ka vazhduar përkeqësimin”.

“Në raportin e përvitshëm të Organizatës prestigjoze Transparency International, për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë, Shqipëria ka pasur një rënie prej një pike në krahasim me vitin e kaluar, nga 36 në 35 pikë. Këto të dhëna, për fat të keq, përputhen plotësisht me bindjen dhe perceptimin e përgjithshëm të qytetarëve”.

Gjithashtu, sipas kreut të shtetit, shifrat lidhen dhe disa arsye të tjera që lidhen “nivelin e ulët të demokracisë në vend, mungesës së respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe shfrytëzimit të pandemisë për të forcuar autoritarizmin”.

Meta ravijëzon se gjendja është shumë e rëndë dhe kërkon reflektim të menjëhershëm, efektiv dhe të përgjegjshëm.

Transparency International: Shqipëria rënie me një pikë

Transparency International (TI)  publikoi raportin e saj vjetor të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (IPK), ku vërehet se Shqipëria ka rënie me një pikë.

Transparency International përdor një sistem llogaritjeje indeksi nga zero në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë se nuk ka aspak korrupsion.

Shqipëria ka pasur një rënie me një pikë krahasuar me vitin e kaluar, nga 36 në 35 pikë.

Raporti, i cili analizon zhvillimet e vitit të kaluar, thekson lidhjen midis korrupsionit dhe nivelit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Kjo, nga vendet më të korruptuara deri tek ekonomitë më të përparuara.

Lidija Prokiç, këshilltare e Transparency International për Evropën Lindore dhe Juglindore deklaroi për Zërin e Amerikës se “në Ballkanin Perëndimor, ne shohim kryesisht stanjacion, por stanjacioni vjen pas një rënieje serioze dhe kjo nuk përçon ndonjë mesazh shpresëdhënës”.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore