Shqipëria

Meta: Rritja e borxhit mund të kthehet në dramë financiare, qeveria manipulon shifrat


“Ligji i buxhetit për 2022 nuk bëri transparent nivelin real të borxhit të 2021″.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në një konferencë për media të premten e 28 janarit, është ndalur te borxhi publik në vend, ku theksoi se rritja e borxhit mund të çojë në krizë të financave publike.

“Objektivi kryesor i politikës ekonomike duhet të jetë kthimi sa më parë i raportit të borxhit ndaj Produktit të Brendshëm Bruto në një rrugë rënëse. Niveli i borxhit do të shkaktojë një krizë serioze në vitet në vazhdim”.

Sipas Metës, “Ministria raporti se niveli i borxhit është 80%, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar, 86% në vitin 2021″.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se stoku i borxhit publik paraqitet i nënvlerësuar bazuar në respektimin e normave ligjore. Do të duhej të përfshiheshin të gjitha detyrimet e prapambetura”.

Ai bëri me dije gjithashtu se “ka rritje dramatike të korrupsionit dhe kapjes së shtetit”.

“Borxhi bruto i qeverisë është treguesi kryesor që përdoret gjatë analizës. Shqipëria ka nivelin më të lartë publik në rajonin tonë, pas Malit të Zi. Këto 8 vite është rritur me 53%, ndërsa premtimi në vitin 2013 ishte për ta ulur”.

“Projektet e Partneritetit Publik Privat”, ravijëzoi presidenti, “i kanë lejuar qeverisë të ndërmarrë investime të reja klienteliste, me një rritje të menjëhershme të borxhit”.

“Angazhimet financiare do të ndikojnë në qëndrueshmërinë e financave publike, duke shtuar rreziqet fiskale. Maturimi i borxhit, raportet e borxhit të jashtëm, marrëdhëniet mes borxhit dhe të ardhurave tatimore, janë tregues shumë të rëndësishëm për të vlerësuar qëndrueshmërinë e borxhit”.

Ka qenë ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila ka theksuar se borxhi publik, do të ulet në vlerën e 78.6%.

“Përballuam me sukses dy sfida të mëdha”, tha Ibrahimaj nga foltorja e Kuvendit, më 15 nëntor. “Në gjashtëmujorin e parë, rritja ekonomike ka qenë në 11.6%. Nëpërmjet këtij buxheti, synojmë përmirësimin e treguesve”.

Gjithashtu dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, më 5 nëntor ka ravijëzuar se gjatë vitit 2022, borxhi publik bruto parashikohet të reduktohet me 1.1 pikë përqindjeje.

“Projektbuxheti parashikon fillimin e konsolidimit fiskal, deficiti do të ulet në 5.4% të PBB, deficiti primar do të ketë konsolidim 1.9% PBB, ndërsa borxhi do reduktohet me 1.1”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore