Shqipëria

Meta: 25 prilli, referendum, jo zgjedhje


Në një deklaratë për mediat, ditën e hënë, më 8 shkurt, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, ka deklaruar se zgjedhjet e 25-së prillit nuk do të jenë zgjedhje, por referendum.

“25 prilli do të jetë referendumi më i rëndësishëm që nga zgjedhjet e 94-ës. Është e domosdoshme që më 25 prill të tregohet vullnet nga forcat politike dhe vetë qytetarët, për t’u distancuar nga figurat që nuk përfaqësojnë qytetarët dhe interesin e lartë publik”, ka deklaruar Meta.

Ai shtoi se partitë politike duhet te jenë në garë për figura sa më me shumë integritet.

“Është e domosdoshme që shqiptarët të distancohen nga figura që nuk promoncojnë figurën e qytetarit. Pas 30-të vitesh jemi kaq pas Serbisë, Malit të Zi. 15-të vite më parë kemi qenë shumë më përpara”, nëvizoi ai.

Meta theksoi se më 25 prill duhen hequr pengesat kryesore të kësaj të ardhmeje. Ai tha se Shqipëria nuk ka pasur asnjë problem tjetër madhor, përveç vendosjes së interesit kombëtar.

“Më 25 prill shqiptarët do të votojnë kundër shpopullimit. Përmasat janë katastrofike. Këtë e ndjejnë sipërmarrësit, prindërit që kanë mbetur të vetmuar… Natyrisht që 25 prilli do të jetë vota kundër shpopullimit. Do të votojmë që të rrimë këtu”, deklaroi ai.

Meta për akuzat e Nanos

I pyetur për akuzat e bëra nga Fatos Nano, në emisionin “Opinion”, Meta u përgjigj duke thënë se ”nuk mund të citojë Biblën një person që luan kumar”.

Kujtojmë se gjatë intervistës në ‘Opinion’, Nano e cilësoi Metën një njeri që i lë punët në mes. Ai gjithashtu tha se Metës i ka dhënë mbështetjen më të madhe, por ai gjithmonë e ka tradhtuar.

“Nuk kam asnjë raport sot me të, as fizik asgjë fare. Kjo gjë nuk më mungon, sepse Ilir Meta është një nga përfituesit më të mëdhenj të mbështetjes time”, theksoi Fatos Nano.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore