Lojëra

Meta prezanton hapësirën sociale të realitetit të shtuar


Kompania teknologjike, Meta, ka prezantuar pas një viti testimi hapësirën e vet të realitetit virtual social të quajtur Horizon Worlds.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se ky është zbulimi i parë i madh i këtij lloji që kur kompania ka njoftuar mbi planet “për të ndërtuar metaverse” të botëve digjitale të lidhura.

Lidhur me aplikacionin, ai u ofron mundësinë përdoruesve që të ndërtojnë mini-lojëra dhe aktivitete brenda lojës bazë të Meta-s.

Nga ana tjetër, nuk ka asnjë mënyrë që krijuesit të fitojnë të ardhura direkte nga hapësirat e tyre digjitale.

Në vend të kësaj, Meta ka investuar 10 milionë dollarë në një “fond krijues” për të shpërblyer krijuesit e komunitetit që fitojnë konkurse.

Kjo është e ndryshme nga aplikacionet e tjera në të cilat krijuesit mund t’i shesin lojërat e tyre për monedhën brenda aplikacionit.

Sidoqoftë, Horizon Worlds është pa pagesë për lojtarët që përdorin kufje Oculus Quest 2 të shitura nga Meta.

“Vizioni ynë për Horizon Worlds është të sjellim në jetë një hapësirë miqësore të realitetit të shtuar për krijuesit me mjetet më të mira të ndërtimit të botës sociale”, ka pohuar Meta në një njoftim.

“Dhe ne kemi kaluar vitin e kaluar duke zhvilluar ato mjete dhe duke i përmirësuar ato bazuar në reagimet e krijuesve”, ka vijuar kompania.

“BBC” tregon se mjetet e krijimit janë ndërtuar drejtpërdrejt në lojën e realitetit virtual, kështu që lojtarët mund t’i qasen drejtpërdrejt pa ndonjë shkarkim ose hap shtesë.

Lojtarët mund të shkojnë drejt botës së tyre digjitale dhe të vendosin sende të tilla si pemë ose forma për t’i përdorur si “blloqe ndërtimi” për të krijuar një mjedis digjital të personalizuar.

Më pas, ata mund të përdorin kodet e përgatitura paraprakisht që ndikojnë në botën rreth lojtarit për të vendosur rregullat e lojës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore