Shqipëria

Meta: Presidenca një kështjellë e pamposhtur e demokracisë në mandatin tim


“Mbajta premtimin, Presidenca një kështjellë e pamposhtur e demokracisë dhe e interesit kombëtar deri më 24 korrik 2022”.

Kështu është shprehur presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, mbrëmjen e 22 qershorit në një intervistë televizive.

Meta deklaroi se vendimet e tij gjatë këtij mandati pesë vjeçar kanë qenë “shumë të drejta, transparente dhe vetëm në interes të popullit shqiptar”.

“Kjo është shumë evidente pasi në të gjitha debatet që janë hapur midis Institucionit të Presidentit dhe Parlamentit, apo Qeverisë, si në Komisionin e Venecias dhe në Gjykatën Kushtetuese, të gjitha këto beteja janë fituar nga Presidenca”, tha Meta duke renditur vështirësitë që ka hasur gjatë mandatit të tij.

Duke lartësuar punën e tij, Presidenti theksoi se ndihet krenar se e ka kryer detyrën në respekt të betimit mbi Kushtetutë.

“Trashëgimia, që po lë në këtë Institucion është që Presidenti është një institucion i paprekshëm, dhe super i mbrojtur nga Kushtetuta”, vijoi Meta.

Ky i fundit u ndal dhe te opozita, e cila sipas tij kur dogji mandatet në vitin 2019, e vështirësoi edhe më shumë detyrën e tij si President.

“Për fat të keq, opozita ndërmori një hap vetëvrasës, jo thjeshtë për të. Për demokracinë në vend, parlamentarizmin, dhe institucionet e pavarura, duke djegur mandatet dhe duke ekspozuar edhe Presidentin përballë një mazhorancë prej 122 kartonësh”, ravijëzoi ai.

Sipas Metës koha tregoi se, kur një President ka vullnetin për të mbrojtur këtë Institucion dhe interesin kombëtar, edhe pse është i vetëm përballë një mazhorancë, e cila në çdo sekondë mund të votonte shkarkimin – “siç edhe e ka bërë në marrëzi të plotë” – edhe pasi i kishte përfunduar mandati, kjo ishte një gjë e pamundur, kur Presidenti ka të drejtë, dhe këtë të drejtë e kupton, e ndjen dhe kjo gjë i transmetohet edhe popullit.

“Ngjarjet do të kishin qenë shumë më keq dhe në drejtim të paditur, nëse populli i Shqipërisë nuk do ishte përgjigjur thirrjes së Presidentit në 2 mars”, tha Meta duke kujtuar protestën e thirrur nga ai në vitin 2020.

Kreui shtetit e cilësoi protestën një manifestim të jashtëzakonshëm dhe historik.

Kujtojmë që Metën do ta pasojë Bajram Begaj, i cili u votëbesua me 78 vota pro në Kuvendin e Shqipërisë më 4 qershor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore