Zgjedhjet në Kosovë

Meta përgëzon zgjedhjet në Kosovë por nuk uron Vetëvendosjen


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar për procesin zgjedhor në Kosovë, por nuk ka uruar fituesin e votimeve, Albin Kurtin.

“Urime të gjithë qytetarëve dhe klasës politike në Kosovë”, shkruan Meta. “Shembull i shkëlqyer i besimit te demokracia dhe vota e lirë. E përshëndes pjesëmarrjen e lartë në votime, pavarësisht kushteve atmosferike dhe Covid-19”.

Ndër të tjera, Meta uron që “institucionet e reja që do të formohen përmes bashkëpunimit, të udhëheqim me sukses Kosovën për të fituar sfidat e të ardhmes”. “Kosova hapi një faqe të re të rrugëtimit të saj evropian dhe konsolidimit të shtetit demokratik”.

Ky qëndrim i presidentit, është në vazhdën e kritikave që ai ka pasur mbi zgjedhjet në Shqipëri. Veçanërisht, mbi ato që do të zhvillohen në 25 prill. Jo pak herë, Meta u është referuar zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri si “referendum popullor”.

Urimi për Kurtin dhe Vjosa Osmanin mungon në postimin e presidentit. Kjo lë vend për të hamendësuar se shkrimi në median sociale, është një mesazh i qartë për zgjedhjet në Shqipëri.

Sipas të dhënave të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, Vetëvendosje ka fituar 48% të votave. Kjo shifër, kur është numëruar mbi 98% e tyre.

Si fitore historike që tërheq vëmendjen, mungesa e urimit të presidentit bie në sy.

Kryeministri Edi Rama, edhe pse vonë, reagoi duke uruar fitoren e Vetëvendosje dhe duke dhënë një mesazh për bashkëpunim midis dy vendeve.

Krerët e opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, kanë uruar gjithashtu dyshen Kurti-Osmani, për fitoren e pa precedente në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore