Shqipëria

Meta për ndarjen nga jeta të Nishanit: Do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta “me trishtim dhe hidhërim të thellë”, ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-kreut të shtetit Bujar Nishani.

“Ngushëllimet më të ndjera për bashkëshorten Odeta, fëmijët Ersi dhe Fiona, dhe të afërmit për këtë humbje të madhe. Presidenti Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion”, shkruan Meta.

Sipas tij, kontributi i tij për Shqipërinë dhe demokracinë do të kujtohet përherë me respekt.

“I paharruar kujtimi i President Nishanit. Të prehet në paqen e merituar!”.

Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ndërroi jetë, pasi prej muajsh ishte i shtruar rëndë në një spital në Gjermani dhe kaloi në vdekje klinike pa mundësi rikthimi.

Një ndër reagimet e para pas ndarjes nga jeta të ish-presidentit Bujar Nishani, erdhi nga kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka.

“Një lajm i hidhur ka pak që u konfirmua. Bujar Nishani, ish-President i Republikës, ministër dhe funksionar në disa poste të rëndësishme të PD-së në vite, ka ndërruar jetë! Një fatkeqësi për familjen dhe për gjithë demokratët”.

Për Palokën, “respekti ynë për gjithçka dha për PD-në dhe për vendin, do e shoqërojë kurdoherë”.

Gjithashtu dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Bledi Kasmi ka shkruar për ndarjen nga jeta të Nishanit.

“Sot e votova për të qenë pjesë e Kryesisë, me shpresën se do të rikthehej prapë mes nesh, por Zoti paska pasur të tjera plane për Bujarin Nishanin, një burrë shtetas dinjitoz, i thjeshtë dhe demokrat me zemër të madhe”.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta.

“Sot për familjen tonë të madhe është një ditë zie. Ndarja e parakohshme nga jeta e Presidentit Bujar Nishani na ka tronditur të gjithëve. Ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe miqve, të prehet në paqe dhe përherë i paharruar në kujtimet tona!”.

Gjithashtu dhe anëtarja e Partisë Demokratike, Edith Harxhi, ka reaguar për vdekjen e Nishanit, duke sjellë në kujtesë kohën kur “presidenti Nishani si pjesë e grupit Për PD-në, më shoqëroi në fushatën elektorale për kreun e PD-së dhe me shumë guxim bëri bashkë me mua 6 mijë km në të gjithë Shqipërinë për një kohë rekord dy javore në shumë degë të Partisë Demokratike në vend”.

“Në kapacitetin e Presidentit të Republikës, Nishani ishte një burrë shteti i vërtetë që drejtoi Presidencën me shumë ndershmëri dhe ndjenjë të lartë për çështjen kombëtare shqiptare. Mungesa e tij do të ndihet për shumë kohë në Partinë Demokratike të Shqipërisë”.

Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ndërroi jetë, pasi prej muajsh ishte i shtruar rëndë në një spital në Gjermani dhe kaloi në vdekje klinike pa mundësi rikthimi.

Familja e Nishanit është ndodhur pranë tij në çastet e fundit.

Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i ka lënë në organizëm.

Fillimisht, Nishani u shtrua në Senatorium dhe pas rehabilitimit të tij fillestar, ai u rikthye në spital për shkak se simptomat post-COVID e patën lënë me shenja pneumonie në mushkëri.

Gjendja e tij u stabilizuar për pak kohë. Por, më pas, ajo u përkeqësua.

Më 23 prill, ai u nis drejt Gjermanisë për mjekim, ku edhe dha frymën e fundit.

Bujar Nishani lindi më 29 shtator 1966 dhe mandatin presidencial, ai e mori me fillim në 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore