Shqipëria

Meta nuk do të kthehet në krye të LSI-së, tha vetë ai


“Ka ardhur momenti për transformim të sistemit në vend”.

Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta në një deklaratë për mediat nga selia e Lëvizjes Socialsite për Integrim (LSI) deklaroi se, nuk do të marrë drejtimin e kësaj force, “pasi këtë drejtim e lashë para pesë vitesh”.

“Është një ditë e re, agim i ri. Erdha sot ktu. Kisha nostalgji për këtë kartë, referuar asaj të LSI-së. Erdha jo vetëm për të treguar që jam krenar për këtë forcë, për gjitha arritjet. Ka bërë çdo gjë për të përshpejtuar integrimin”.

Në fjalën e tij, ai tha se vendimi për shkarkimin e Zef Mazit tregoi “përkushtimin e atyre që e urrejnë rrugën drejt BE, konkurrencën dhe pluralizmin”, teksa  hodhi akuza për kryeministrin Edi Rama dhe ish-liderin e PD-së, Lulzim Basha për “bllokimin e integrimit”.

“Na i hapën tani dhe shkarkuan kryenegociatorin pa nisur akoma negociatat. Duke treguar se e urrejnë zgjedhjet, urrejnë meritokracinë, pluralizmin politik, median e lirë dhe të pavarur. Jam krenar për atë forcë politike. I dha vendin stabilitet, dhe jo vetëm kaq por edhe liberalizimin e vizave, por edhe që ka meritat për marrjen e statusit kandidat, por edhe rekomandim për çeljen e negociatave”.

“PD e Lulzim Bashës nxori LSI-në jashtë funksionit”.

Meta shtoi se në vend duhet të triumfojë referendumi.

Për sa i përket pyetjes, drejtuar ish-presidentit nëse do të bashkëpunojë me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, ai theksoi se “do bashkëpunojmë me çdo shqiptar të ndershëm patriot dhe demokrat të ndershëm, pas asnjë diskutim”.

“Nuk jam në garë as me Berishën dhe skam qenë në garë as me Lulushin. Shqipërinë e ndryshon vetëm referendumi, është primare e primareve. Referendumi tani është vetë Shqipëria, pasi është vënë në pyetje rezistenca e të ardhmes së vendit”.

Para se t’i mbaronte mandati, Meta pati theksuar se pas 24 korrikut, do të kthehet fuqishëm në skenën politike. Ai është përplasur vazhdimisht me mazhorancën, e cila madje ndërmori dy herë votimin për shkarkimin e tij nga posti i presidentit. Në qershor të vitit të kaluar Kuvendi votoi për shkarkimin e Metës si president, por Gjykata Kushtetuese vendosi kundër vendimit të marrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore