Shqipëria

Meta: Nëse Rama merr më shumë se 71 mandate, do t’i jap edhe presidencën


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, doli në një deklaratë për shtyp, ku kërkoi që kandidatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) dhe mbështetësit e tyre të qetësohen për situatën e krijuar në qytetin e Fierit.

Më 21 prill, Meta ka kërkuar që, ndërkohë që kryeministri Edi Rama bën fushatën e tij mbyllëse në këtë qytet, të mos vihen banera të LSI-së.

Në këtë mënyrë, u shpreh presidenti, ta kuptojnë të gjithë se kryeministri është një provokator i madh.

Meta foli për akuzën që Rama i ka bërë presidentit, si provokator i dhunës dhe plagosjes në Kavajë. Meta i përgjigjet se ata persona, që kanë bërë plagosjen, kanë qenë të nxitur nga Edi Rama.

Sipas presidentit, ngjarja nuk ka ndodhur për arsye të dobëta, siç pretendohet, por për arsye politike.

“Nëse Rama merr më shumë se 71 mandate në mënyrë demokratike”, tha presidenti, “do t’i jap edhe mandatin e presidencës”.

Ilir Meta shtoi se, mbas 25 prillit, do të ndalohen me ligj të gjithë personat me precedentë penalë të jenë pjesë e administratës.

Më pas, ai shtoi se do t’i dorëzojë policisë një listë, ku janë të gjithë emrat e personave, që qarkullojnë me armë pa leje. Me anë të kësaj, tha presidenti, policia të bëjë punën dhe t’i arrestojë.

“Jo një pikë gjaku, por asnjë pikë loti nuk dua të shoh të derdhet për zgjedhjet”, tha Meta.

Meta vazhdoi deklaratën për shtyp, duke folur për votat e emigrantëve. Ai shtoi se, është e drejta e çdo shqiptari, mbi 18 vjeç të votojë.

Sipas presidentit, “komisioni politik i partisë-shtet” e ka bërë për të mos marrë votat kundër. Kreu i shtetit tha se ky akt është i rëndë dhe antikushtetues.

“Ndalimi i votimit të emigrantëve nga Greqia përbën një akt të rëndë, antikushtetues. Arsyetimi i ndalesës së mijëra bashkatdhetarëve tanë është pretekst fals, i pabazuar shkencërisht, absurd, përdorim politik, nga situata e pandemisë nga ana e partisë shtet. Kjo është farsa e turpshme për përfshirjen e diasporës në votime. Jo vetëm nuk po përfshihen të votojnë aty ku janë, por nuk lejohen as të vijnë këtu”.

Meta, gjithashtu, akuzoi se po mbahen të fshehura rreth 10 mijë vdekje me Covid.

“Këta po fshehin nga statistikat rreth 10 mijë vdekje të shkaktuara nga virusi. I bëj apel urgjent qeverisë, Komitetit të manipuluar të Ekspertëve dhe KQZ-së të heqë menjëherë këtë ndalesë, që përbën një veprim flagrant antikushtetues”.

Meta iu përgjigj edhe akuzave se, takohet me subjekte të Operacionit Forca e Ligjit (OFL), duke thënë që takohet me gjithë Shqipërinë.

Ai gjithashtu tha se, më 26 prill, OFL do të fillojë punën me “një ritëm të paparë”.

“Unë takohem me gjithë Shqipërinë. Zero subjekte të OFL-së takoj. OFL do fillojë punën me një ritëm të paparë më 26 prill”.

Për sa i përket Reformës në Drejtësi, Kreu i Shtetit iu drejtua kryeministrit, duke i thënë se nga 26 prilli, nuk do të preket asnjë ligj, por do të punohet me ligjet e tij.

Presidenti Meta tha se, në krahasim me zgjedhjet e kaluara, denoncimet për zgjedhje janë trefishuar në SPAK.

“Nuk pres asnjë rezultat, zero”, është shprehur ai.

Sipas Kreut të Shtetit, arrestimet për personat që cenojnë zgjedhjet do t’i bëjë populli nëse policia dështon.

“Edhe nëse nuk do t’i arrestojë Policia këta, do t’i arrestojë populli”.

Presidenti i Republikës u bëri thirrje komisionerëve, numërues në qendrat e votimit, që të kenë përqendrim të plotë dhe të mos cenohet asnjë votë e qytetarëve.

“Është proces i lodhshëm numërimi, kërkon përqendrim, kujdes. Ata që kanë marrë përsipër detyrën, duhet të jenë të përqendruar 101% për numërimin. Mos të vijnë marifetxhinjtë që kanë nisur të blejnë vota brenda kandidatëve të tyre”.

Meta përmendi se ka informacione, sipas të cilave brenda Partisë Socialiste (PS) ka nisur “një luftë e brendshme” mes kandidatëve, të cilët po i marrin votat e njëri-tjetrit.

“Kam informacione që brenda PS ka nisur lufta e madhe për të marrë votat e njëri-tjetrit, pasi e dinë sepse përfshirja e emrave në listë ka qenë për qëllime të tjera”.

Presidenti Meta përmendi edhe akuzat për manipulim votash nga PS-ja në Njësinë Nr.10 në kryeqytet, ku votimi do të bëhet në mënyrë elektronike. Denoncimi ka ardhur nga një qytetar, tha Meta, por me sigurimin që kreu i KQZ-së dha në deklaratën e tij, çështja është ezauruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore