Shqipëria

Meta: Shqipëria nën borë, Ministria e Infrastrukturës show me projekte 3D


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka akuzuar sërish qeverinë, në veçanti Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, se nuk ka marrë masat e duhura për përballimin e situatës së vështirë të krijuar nga kushtet atmosferike.

“Ndërkohë që Instituti i Gjeshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) paralajmëroi stuhi të forta, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës jepte show me projekte 3d”, shkruan Meta në Facebook.

Presidenti ka theksuar se “nuk u morën masat e nevojshme me drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH). Me administratorët e kompanive private që janë kontraktuar për mirëmbajtjen e rrugëve, gjithashtu”.

“Asnjë kompani private, as ARRSH-ja, as Mbrojtja Civile, nuk kishin kapacitete njerëzore dhe teknike për menaxhimin e situatës. Nuk kishte borëpastruese, fadroma, traktorë, në segmentet rrugore ku duhej ndërhyrë”.

Sipas Metës, “kompanitë e kontraktuara nuk kishin as rezerva kripe, pavarësisht milionave euro që marrin nga kontratat”. Mjetet motorike mungonin gjithashtu, sipas presidentit.

Për shkak të paralajmërimeve të bëra nga IGJEUM-i, Meta ka nënvizuar faktin se duhet të ketë bashkëpunim midis disa ministrive për të komunikuar më pas me strukturat vendore. “Duhet të përmbushen detyrimet ligjore ndaj popullatës në nevojë”, shton presidenti.

“Duhen marrë të gjitha masat efikase për furnizimin me bazën e nevojshme ushqimore. Duhet të garantohet funksionimi normal i akseve rrugore dhe të evakuohen rastet e vështira”.

Më herët, në foltoren e Parlamentit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, pati deklaruar se “të gjitha masat për normalizimin e gjendjes ishin marrë”. “Kontratat kanë funksionuar në perfeksion dhe sot nuk ka asnjë rrugë të bllokuar”, tha ajo.

Shqipëria u përfshi nga reshje të shumta bore gjatë fundjavës, duke shkaktuar edhe bllokim të disa akseve në gjithë vendin. Qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, u ndalua gjatë gjithë fundjavës. Të hënën e 15 shkurtit, transporti është rihapur dhe gjendja duket e normalizuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore