Shqipëria

Meta më pak “bujar” se Nishani


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta e mbylli mandatin e tij në krye të shtetit më pak “bujar” se pararendësi i tij i ndjerë Nishani.

Rekordi i ish-presidentit Bujar Nishani sa i takon dhënies së dekoratave mbetet në fuqi – me mbi 1 mijë të tilla.

Mbrëmjen e 23 korrikut, Meta nderoi pas vdekjes poetin Dritëro Agolli me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.

Kjo ceremoni ishte dhe e fundit në agjendën presidenciale para largimit të tij.

Me këtë dekoratë, presidenti fiksoi kuotën prej 968 medaljesh duke iu afruar ndjeshëm Nishanit.

Titullin “Mjeshtër i madh”, Meta ua ka dorëzuar 365 vetëve; Dekorata “Nderi i kombit” është dhënë 85 herë; Dekorata e Artë e Shqiponjës 57; titulli “Naim Frashëri” 41; titulli “Për merita të veçanta civile” 97; Dekorata e Flamurit Kombëtar” 20; titulli “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut” 119; Dekorata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” 22; Titulli Kalorës i urdhrit të flamurit 125; Dekorata “Pishtar i demokracisë” 3; Dekorata “Nënë Tereza” 30 dhe titulli “Martir i demokracisë” 4.

Ish-presidenti Nishani akordoi pothuajse një dekoratë në çdo 40 orë.

Presidenti i ri i Republikës Bajram Begaj nuk do të japë më shumë se sa 23 dekorata në vit.

Kjo, pa miratimin e një organi të ri kompetent, që do të jetë Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve.

Kështu parashikon projektiligji i ri për dekoratat në Shqipëri i hartuar nga qeveria.

Autoritetet qeveritare kanë vendosur që të kufizojnë me ligj numrin e dekoratave që do të jepen nga Presidenti i Republikës brenda një viti.

Konkretisht, presidenti nuk mund të dekorojë çdo vit pa propozim paraprak të autoriteteve përkatëse, më shumë se sa 10 për qind të numrit të përgjithshëm të dekoratave të të gjitha kategorive që mund të jepen brenda vitit.

Numri maksimal i dekoratave të të gjitha llojeve që mund të jepen brenda një viti nga të gjitha autoritetet është rreth 230.

Presidenti mund të japë deri në 23 dekorata në vit, në një kohë kur presidenti aktual Ilir Meta ka dhënë rreth 150 në vit.

Dekoratat që do të japë presidenti mbi këtë numër, kushtëzohen me dhënien e miratimit nga Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve, e cila do të ngrihet me urdhër të kryeministrit Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore