Shqipëria

Meta: Mbështes nismën për pezullimin e përkohshëm të fiskalizimit të detyrueshëm


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar përmes një statusi në Facebook duke mbështetur nismën për pezullimin e përkohshëm të fiskalizimit të detyrueshëm.

Kjo iniciativë e Konfindustrias, sipas presidentit, duhet mbështetur deri në dhënien e sigurive të plota teknike dhe ligjore nga shteti shqiptar.

Kreu i shtetit i referohet mbrojtjes së të dhënave tregtare të bizneseve në statusin e tij.

“Skandali i rrjedhjes së të dhënave personale të qindra mijë qytetarëve shqiptarë në dhjetor 2021 drejtpërdrejt nga agjensia shtetërore përgjegjëse AKSHI, tregon problematikat e shumta të sotme të sigurisë së rrjeteve të informacionit”, thekson fillimisht numri një i Presidencës.

Meta u tërheq vëmendjen institucioneve shtetërore, pasi sipas tij procesi i fiskalizimit me detyrim nga dhjetra kompani private ndërmjetëse, do të sjellë pasoja shumë më të rënda.

“Në ketë rast pasojat do të jenë të rënda për mbi 120 mijë biznese, që rrezikohen nga penalizime gjyqësore në vlera të jashtëzakonshme për shtetin shqiptar, goditje në afatgjatë për ekonominë dhe deri në cenim të sigurisë kombëtare dhe rendit kushtetues”, vijon presidenti.

Në përmbyllje, ai ravijëzoi edhe mbështetjen për kërkesën mbi ngritjen e komisionit hetimor parlamentar.

Kjo, për nxjerrjen e plotë dhe marrjen e përgjegjësive penale dhe financiare të institucioneve shtetërore dhe kompanive private.

Fiskalizimi

Janari duhet të shënjonte fundin e periudhës së mospenalizimit me gjobë për bizneset, të cilët nuk kishin kryer ende procesin e fiskalizimit.

Por me kërkesë të Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe kompanive që po tregtojnë kasat, Qeveria shqiptare vendosi shtyrjen e afatit të “penaliteteve për bizneset e pafiskalizuar”.

Kështu Qeveria vendosi që ndaj bizneseve mos të vendoseshin penalizime deri në korrik të këtij viti.

Në një deklaratë publike, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, bëri me dije se vendimi ka vetëm një synim: t’u japë kohë bizneseve që të familjarizohen me këtë proces.

“Qasja jonë do të vijojë të jetë edukuese dhe këshilluese, me qëllim rritje e efektivitetit të procesit, zbatimin e plotë dhe raportimin në kohë reale”, deklaronte më herët zyrtarja shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore