Shqipëria

Meta, letër të hapur Komisionit të Politikës së Jashtme – Përgënjeshtron deklaratat e Veliajt


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i ka dërguar një letër të hapur anëtarëve të Komisionit të Politikës së Jashtme.

Në letrën drejtuar Komisionit, presidenti përgënjeshtron deklaratën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e ka akuzuar kreun e shtetit për “bllokimin e qëllimshëm të ambasadorëve”.

Sipas Metës, deklaratat e kryebashkiakut janë “vetëm gënjeshtra të qëllimshme, të cilat synojnë vetëm të s’postojnë vëmendjen e opinionit publik nga situata kritike në të cilën ndodhet vendi, nga problemet reale të qeverisjes dhe skandalet e saj dhe të përpiqen të denigrojnë Institucionin e Presidentit të Republikës”.

Kreu i Shtetit shkruan se ai nuk ka rrëzuar asnjë propozim të Qeverisë për Ambasador, por përkundrazi, ka bashkëpunuar me institucionet.

“Presidenti i Republikës nuk ka rrëzuar, refuzuar apo bllokuar asnjë propozim të qeverisë aktuale për Ambasador të Republikës së Shqipërisë në ndonjë vend apo organizatë ndërkombëtare, përkundrazi është treguar shumë bashkëpunues dhe i përgjegjshëm duke dekretuar në kohë dhe në respekt të ligjit propozimet e kësaj qeverie për Ambasadorë apo Shefa Misioni Diplomatik të Republikës së Shqipërisë në vendet mike apo organizatat ndërkombëtare”.

Për akuzat e Veliajt, Meta ka kërkuar që Komisioni i Politikës së Jashtme t’i kërkojë llogari kryebashkiakut të kryeqytetit dhe të çbllokojë “në mënyrë të menjëhershme procesin e rifreskimit dhe emërimit të duhur të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve të Shqipërisë në vendet mike dhe në organizatat ndërkombëtare ku ne jemi të akredituar”.

“Mendoj se është në nderin e Komisionit të Politikës së Jashtme dhe anëtareve të tij, të rolit të tij të pazëvendësueshëm në fushën e politikës së jashtme, që këtë çështje ta bëjë jo vetëm pjesë të debatit të brendshëm, por edhe të kërkesë-llogarisë ndaj qeverisë dhe të gjithë atyre që e kanë për detyrë të respektojnë ligjin, të respektojnë trupën diplomatike shqiptare dhe dinjitetin e saj përfaqësues dhe të qartësojë të vërtetën e deklaratave dashakeqe të Kryetarit aktual të Bashkisë së Tiranës”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore