Zgjedhjet në Shqipëri

Meta, letër institucioneve: Merrni masa për zgjedhjet


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i është drejtuar me një letër institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, pak para zgjedhjeve të 25 prillit.

Ai iu ka kërkuar që të marrin masat e duhura përgjatë periudhës para dhe pas zgjedhore.

Në letrën e presidentit kërkohet garancia për mirëfunksionimin e aparatit shtetëror në tërësi.

“Edhe një herë më duhet t’ju theksoj që, funksioni shtetëror nga ana juaj duhet të ushtrohet me integritet dhe përgjegjshmëri të lartë, ashtu sikundër ju shpreh mbështetjen time që, për çdo veprim/mosveprim që përbën shkelje të ligjit, të ndërmerren nga ana juaj të gjitha masat e duhura për respektimin e kuadrit ligjor në fuqi, e për të vënë para përgjegjësisë individuale administrative apo penale, çdo shkelës të ligjit”, shkruan Meta në letrën e tij.

Ndër të tjera, presidenti thekson se do të ketë vëmendjen maksimale për të monitoruar veprimtarinë e administratës shtetërore, situatën zgjedhore në tërësi, për të evidentuar apo frenuar çdo veprim apo mosveprim të kundraligjshëm.

Sipas tij këto të fundit reflektojnë hapur përpjekjet për të ushtruar trysni politike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore