Shqipëria

Meta: Kryeministri Rama po bllokon qëllimisht integrimin e Shqipërisë në BE, nuk pres drejtësi të pavarur, funksionale, të besueshme përpara 25 prillit


Në një intervistë për emisionin “Përballe”, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta bëri fajtor kryeministrin Rama për bllokimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE) si dhe shprehu bindjen se shteti shqiptar mund të kthehet në funksionalitetin e tij të plotë pas zgjedhjeve të 25 prillit.

“Sot ne kemi një kryeministër, i cili po bllokon procesin e integrimit evropian në mënyrë të qëllimshme, i cili shkeli Marrëveshjen e 5 Qershorit në mënyrë të qëllimshme, i cili kërkon të vërë dorë mbi zgjedhjet e ardhshme në mënyrë të qëllimshme, edhe pse e di që kjo ka pasoja fatale për t’i shtyrë negociatat jo deri në prill 2025, por edhe më tej, sepse nuk është ky prioriteti i tij, për fat të keq” – u shpreh Meta gjatë intervistës me gazetarin Lutfi Dervishi.

I pyetur më tej nga Dervishi në lidhje me Gjykatën Kushtetuese dhe vendimet e Komisionit të Venecias për përplasjet mes presidencës dhe ekzekutivit, Meta deklaroi se do jetë e pamundur të ketë Reformë në Drejtësi duke pasur parasysh mungesën e një parlamenti legjitim dhe organeve të cilat nuk do të jenë të kontrolluara nga qeveria deri pas zgjedhjeve të 25 prillit.

“Në kushtet e një presioni të tillë politik siç është edhe vetë KED-i, sepse gjithë instrumentat,  për verifikimin e këtyre kandidatëve dhe çdo gjë është e kontrolluar nga qeveria, nga ekzekutivi kjo është një gjë shumë e qartë, siç ka qenë edhe në rastet e kaluara, Nuk pres drejtësi të pavarur, funksionale, të besueshme,  përpara 25 prillit” – vijoi Meta.

Gjatë intervistës, Meta foli në lidhje me situatën në Kosovë duke shprehur mbështetjen e plotë nga ana e shtetit shqiptar për krizën në të cilën gjendet Kosova. Presidenti gjithashtu analizoi zgjedhjet presidenciale në Amerikë dhe impaktin në rajon duke bërë thirrje për një bashkëpunim të fuqishëm mes Shqipërisë dhe Kosovës për të mos lejuar realizimin e përpjekjeve për rehabilitimin e Serbisë në skenën ndërkombëtare në dëm të imazhit të Kosovës.

“Unë si President kam qenë gjithmonë i hapur bashkë me Kryeministrin, me qeverinë, bashkë me Ministrinë e Jashtme, me Parlamentin, me të gjithë për të ndihmuar dhe mbështetur Kosovën dhe asnjëherë nuk kam ndërmarrë iniciativa të tilla personale, publike apo zyrtare të cilat mund të vinin në diskutim mbështetjen e Shqipërisë në tërësi për Kosovën” – deklaroi Meta.

Në mbyllje, presidenti bëri thirrje për transparencën që qeveria i detyrohet shqiptarëve në këtë situate pandemie duke uruar në zgjidhjen sa më shpejt të kësaj krize tashmë globale./AlbanianPost.com

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore