Zgjedhjet në Shqipëri

Meta: Karantinimi, pengesë për votën e emigrantëve


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar mbi çështjen e karantinimit të detyrueshëm, të vendosur nga Komiteti i Ekspertëve mbi Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, si masë në luftën ndaj Covid-19.

Sipas Metës, kjo është një pengesë që u krijohet emigrantëve shqiptarë për të votuar.

“Nëse një masë e tillë lihet në fuqi, bëhet pengesë për emigrantët që duan të votojnë. Ky rast do të ngrihet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si një masë e karakterit politik me qëllime direkte partiake për të cenuar zgjedhjet”.

Një reagim ka pasur sot edhe nga shoqata e emigrantëve mbi këtë vendim të ekspertëve. Kjo shoqatë, gjithashtu pretendon se “masa është marrë për të penguar emigrantët të votojnë”.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar gjithashtu ndaj masës. Për Albanian Post, një deklaratë pati nga kandidati për deputet në Qarkun e Korçës, Petrika Mele.

Ai tha se “vendimi për karantinën dyjavore të emigrantëve të ardhur nga Greqia apo Maqedonia e Veriut, është një vendim arbitrar dhe në shkelje të kushtetutës”.

Meta ndërkaq ka kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për këtë situatë. Sipas tij, “këto janë pengesa artificiale që po krijohen”.

Vendimi i ekspertëve shqiptarë dhe “izolimi” i Shqipërisë nga Greqia

Komiteti i Ekspertëve vendosi ditën e djeshme këtë masë mbi dy shtetet fqinje.

Gjithsesi, nga ana tjetër, shteti grek ka hapur kufijtë për shumë vende të rajonit dhe Bashkimit Evropian. Por, me Shqipërinë – shtetin me numrin më të ulët të rasteve të reja ditore në rajon, për dy javët e fundit – Athina zyrtare ka lënë në fuqi deri më 26 prill masën për mbylljen e kufirit.

Në Maqedoninë e Veriut, mesatarja ditore e vdekjeve në javën e fundit është prej 31 vdekjesh në ditë. Ajo e infektimeve, mbi 700 ditore. Këto, me një popullsi më të vogël se Shqipëria.

Pavarësisht kësaj, kufijtë Greqi-Maqedoni e Veriut janë të hapur.

Situata mbetet e tensionuar mbi çështjen. Në Qarkun e Korçës dhe Gjirokastrës shënohet çdo zgjedhje numri më i lartë i emigrantëve, të cilët vijnë në zgjedhje nga vendet fqinje.

Këtë vit, nën masën e karantinës 14-ditore të kërkuar, mund të mos jenë të nxitur për të ardhur në votim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore