Shqipëria

Meta: Erdogan ka qenë i ftuar i qeverisë shqiptare


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar pas vizitës së presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, duke e konsideruar këtë të fundit si “të ftuar të qeverisë shqiptare”.

“Erdogan ka qenë i ftuar i Qeverisë dhe është sjellë si i ftuar i Qeverisë. Uroj të ketë kaluar sa më mirë në Shqipëri”, theksoi fillimisht presidenti.

Meta ishte i ftuar në një nga emisionet e mbrëmjes ku foli edhe për agjendën e tij të 17 janarit.

“Sot ka qenë një ditë shumë e jashtëzakonshme për mua, i angazhuar në shumë aktivitete për të nderuar kujtimin e paharruar të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, vijoi numri një i presidencës.

Për kreun e shtetit, nuk ka arsye që ai të ketë ndonjë keqardhje për mungesën e vizitës së homologut të tij turk në Presidencë.

“Nuk kam arsye të kem ndonjë keqardhje që nuk kam takuar Erdogan”, nënvizoi ndër të tjera Meta.

I pyetur në lidhje me ndonjë takim të mundshëm, presidenti garantoi se nga ana e tij do të bënte “një sforcim për ta takuar”.

Në vijim të intervistës, presidenti falënderoi “me shumë mirënjohje popullin turk për ndihmat bujare që i kanë dhënë popullit shqiptar”.

Referuar agjendës së 17 janarit, për Metën ka qenë “një ditë shumë e mirë”.

“Në kalendarin tim 17 janari, 2 marsi dhe 28-29 nëntori janë data shumë të rëndësishme”, tha më tej kreu i shtetit.

Vizita në Lezhë

“Sot është dita e kalimit në përjetësi e Kryeheroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

Kështu u shpreh presidenti, pasi zhvilloi homazhe tek memoriali i heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, në Lezhë, duke kujtuar 554-vjetorin e vdekjes së tij.

Duke cituar Fan Nolin, Meta theksoi se, “me të drejtë ai e konsideroi si shqiptari më i gjallë ndër gjithë shqiptarët përgjithmonë”.

Sipas Presidentit të Republikës, Skënderbeu, “është jo vetëm Kryeheroi ynë Kombëtar, që i dha identitetin më të fortë kombit tonë në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetin kombëtar dhe njerëzor, por njëkohësisht është ky personalit i jashtëzakonshëm dhe heroi i qytetërimit evropian”.

“Ai përcaktoi në mënyrë të pakthyeshme identitetin evropian të popullit tonë”, theksoi Meta në fjalën e tij.

Duke lartësuar figurën e Gjergj Kastriotit, Meta shtoi se, “edhe shekuj më pas ai shërbeu si frymëzim kryesor i rilindjes sonë kombëtare për të ngritur popullin tonë shqiptar në luftën për liri, shtetformim dhe pavarësi”.

“Është pikërisht Gjergj Kastriot Skënderbeu që me veprat e tij do të frymëzojë shqiptarët për dinjitet kombëtar dhe njerëzor”, e përmbylli Meta.

Skënderbeu vdiq më 17 janar të vitit 1468 dhe u varros në qytetin e Lezhës – aty ku ai kishte themeluar “Besëlidhjen e Lezhës” në mars të 1444-ës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore