Shqipëria

Meta dorëzon detyrën, Begaj: Do të jem shërbetor i popullit tim


Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha i ka dorëzuar të dielën e 24 korrikut Kushtetutën e Shqipërisë në shenjë simbolike presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

Ky i fundit, ishte i shoqëruar nga presidenti në largim, Ilir Meta.

Pas dorëzimit të detyrës, ish-kreu i shtetit u shfaq i buzëqeshur në tribunën e ngritur përballë Presidencës.

Në këtë ceremoni janë pjesëmarrës të gjithë përfaqësuesit e qeverisë, medias, drejtësisë, ushtrisë, ekonomisë, diplomacisë, fetarë etj.

Fillimisht, Begaj falënderoi ish-presidentin Meta, për përmbushjen e detyrës.

“Sot dita më e rëndësishme e jetës time. Që sot përgjegjësi më e madhe ndaj qytetarëve të kombit tim, ndaj partnerëve të Shqipërisë. Do të jem shërbetor i popullit tim, përfaqësues i unitetit tonë kombëtar”, theksoi më tej presidenti i ri.

Ai shtoi se do të jetë mbështetës i palëkundur i rrugëtimit euro-atlantik për të gjithë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Luginës së Preshevës.

“Dialogu, bashkëpunimi, debati sjellin mirëqënie, zhvillim e progres për qytetarët dhe vendin. Interesi ynë i përbashkët mbetet konsolidimi i institucioneve”, shtoi Begaj.

Kreu i ri i shtetit inkurajoi çdo veprim për marrëdhënie të shëndosha mes institucioneve kushtetuese.

Referuar momentit të Shqipërisë, ai vërejti se mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare me BE, ishte arritje e madhe e Shqipërisë dhe shqiptarëve

Madje Begaj e cilësoi këtë të fundit, vetëm si fillimin e një kapitulli të ri.

Pas përmbylljes së fjalës, familja Begaj u nis drejt Presidencës.

Tanimë, dyert e saj janë të hapura për të gjithë përfaqësuesit e lartë, të cilit ishin të ftuar në këtë ceremoni solemne.

Zyrtarisht, Bajram Begaj mori detyrën si President i Republikës së Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore