Lajme

Meta do certifikojë llogaritë në Facebook ose Instagram përmes pagesës


Mark Zuckerberg, CEO i Meta, njoftoi të dielën nisjen e një abonimi me pagesë me 11,99 dollarë në muaj – ose 14,99 dollarë në iPhone – për përdoruesit e Facebook dhe Instagram.

I quajtur “Meta Verified”, ky abonim do t’u ofrojë përfituesve të tij “një distinktiv të certifikuar, shikueshmëri të shtuar, mbështetje prioritare ndaj klientit, si dhe mbrojtje më të mirë kundër vjedhjes së llogarisë”, detajoi CEO i Meta.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Abonimi në “Meta Verified” do të rezervohet për përdoruesit e rritur të internetit, raporton media amerikane The Verge.

Do të duhet të jepet gjithashtu ID-ja e qeverisë që përputhet me emrin dhe foton e llogarisë në Facebook ose Instagram në fjalë.

Drejtori i Përgjithshëm i Meta-s saktëson se kompanitë për momentin nuk kanë të drejtë për distinktivin “Meta Verified”.

Abonimi do të vendoset në ditët në vijim në Australi dhe Zelandën e Re përpara se të shtrihet në vende të tjera.

Formula i ngjan asaj të vendosur nga Elon Musk në Twitter.

I lançuar dhjetorin e kaluar, abonimi në Twitter Blue gjithashtu lejon përdoruesit e abonuar të forcojnë sigurinë e llogarisë së tyre dhe të marrin simbolin e famshëm blu të certifikimit.

Mark Zuckerberg theksoi, megjithatë, se ndryshe nga Twitter Blue, “Meta Verified” nuk do të ketë asnjë efekt në llogaritë e certifikuara tashmë në Instagram ose Facebook, të cilat kështu do të ruajnë certifikimin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore