Shqipëria

Meta, BE-së: ‘Shkopin’ për autokratët, që rikthejnë tema të së kaluarës si shantazh


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, të enjten e 13 janarit, ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) duhet të ofrojë “karotën” kur duhet, por edhe “shkopin”.

Kjo për të gjithë “autokratët” në rajon, të cilët rikthejnë tema të së kaluarës si “shantazh, për t’i lënë rehat në autokracinë e tyre”.

Në ligjëratën e mbajtur në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, me temë “Shqiptarët në mijëvjeçarin e ri – sfidat dhe perspektivat”, Meta tha se vetë Evropa duhet të ketë qasje “më serioze” për Ballkanin Perëndimor dhe “t’u qëndrojë premtimeve që bën”.

Pjesë e ligjëratës ishte dhe iniciativa e “Ballkanit të Hapur”, për të cilën Meta u shpreh se në Ballkan “nuk ka kombe të mira dhe kombe të këqija”.

“Ballkani i Hapur është një nismë imponuese dhe e paqartë, që më shumë se rezultate, deri më tani ka prodhuar vetëm debate dhe pasi ka ndërruar tri herë emrin, i vetmi element pozitiv që ka është përcaktimi ‘i hapur’”, tha ai.

Meta deklaroi se “të gjithë popujt janë të etur” për paqe, stabilitet, siguri, bashkëpunim ndëretnik dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, por ka politika të mençura bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse ose politika të mbrapshta dhe përçarëse”.

Ai shprehu shqetësimin dhe për pozitën e Kosovës dhe “tendencën e Ballkanit të Hapur për ta “margjinalizuar atë”.

“Unë kurrë nuk kam besuar dhe nuk mund të besoj, që zgjidhja për çdo çështje në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, mund të jetë më pak serbë në Kosovë, apo më pak shqiptarë në Serbi”.

Po ashtu, deklaroi se “mbetet ekzistenciale si komb”, studimi i gjuhës, i zakoneve, traditave, letërsisë, artit, kulturës, historisë dhe forcimit të identitetit tonë kombëtar.

“Shqiptarët duhet të përpiqen, që aty ku ata jetojnë, të mbizotërojë sundimi i ligjit, demokracia, vlerat evropiane dhe euroatlantike, bashkëjetesa me të drejta e oportunitete të njëjta dhe me dinjitet të pacenuar”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore