Shqipëria

Meta-Basha, nderime në 23-vjetorin e Masakrës së Prekazit


Në nder të familjes Jashari, përfaqësues të politikës shqiptare kanë shkruar në median sociale Facebook për përkujtimin e masakrës së Prekazit.

President i Shqipërisë, Ilir Meta, ka bërë nderime në nder të familjes Jashari.

Meta shprehu mirënjohje për Adem Jasharin dhe familjen e tij, për sakrificën sublime që frymëzon kombin në çdo kohë, për mbështetje të palëkundur të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.

“Në themelet e shtetit të Kosovës qëndron gjaku i bijve dhe bijave më të mirë të kombit, që ashtu si Jasharët e Drenicës martire 23 vjet më parë, i treguan mbarë botës se çfarë çmimi ka liria për shqiptarët. Të ardhmen e sigurt europiane kombi ynë do t’ia dalë ta ndërtojë mbështetur mbi sakrificat e Dëshmorëve dhe mbrojtjes së vlerave më të larta që trashëgojmë”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjithashtu ka përkujtuar 23-vjetorin e Masakrës së Prekazit.

Basha shkruan se Jasharët i kanë treguar botës se atdhedashuria është e pamposhtur, pavarësisht barbarisë së agresorit.

“Dashuria për atdheun mund të shembë kalatë më të forta dhe mund t’u qëndrojë sulmeve më barbare. Kjo e vërtetë e madhe mishëron atë që Adem Jashari dhe familja Jashari bëri për atdheun, Kosovën dhe kombin shqiptar. Burra, gra e fëmijë ranë heroikisht duke vënë gjakun në themelet e Kosovës së lirë e të pavarur”.

Kryedemokrati theksoi se një rrugë e gjatë pret për t’u përmbushur amaneti i heronjve.

“Jam i sigurt se sakrificat e martirëve tanë në të dy anët e kufirit janë themel i fortë mbi të cilin do të ndërtojmë të sotmen e të nesërmen, me dinjitetin dhe përkatësinë tonë evropiane. Mbarë kombi ynë përulet sot me nderim përpara sakrificës sublime të Adem Jasharit, familjes Jashari, bijave dhe bijve të Kosovës që u flijuan në altarin e lirisë”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore