Zgjedhjet në Shqipëri

Meta akuzoi për vjedhje të dhënash, Rama publikon të tijat


Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim elektoral përmbyllës për Qarkun e Elbasanit më 20 prill, ku i ka kthyer një replikë presidentit Ilir Meta, mbi çështjen e patronazhistëve dhe publikimin e të dhënave.

Kjo e fundit u kthye në kryefjalë të jetës politike në vend. Një listë, e publikuar nga portali “Lapsi.al”, shfaqte një databazë të dhënash të votuesve të Qarkut Tiranë.

Këto të dhëna ishin në disponim të disa vullnetarëve të Partisë Socialiste (patronazhistët), ku shënoheshin edhe të dhëna preferenciale mbi partinë që votonin qytetarët.

Replikën ndaj Metës, Rama e ka bërë, duke publikuar vetë të dhënat e tij të kartës së identitetit.

“Shënojini të gjithë”, tha ai. “Rama, Edi. Lindur në Tiranë. Ditëlindja: 04.07.1964. Numri i identitetit G40704039G. Këto janë të dhënat e mia”, shpjegoi kryeministri.

Ditën e djeshme, presidenti Meta, i kërkoi SPAK-ut të niste një hetim të menjëhershëm, pas akuzave se të dhënat personale të shqiptarëve janë vjedhur nga Partia Socialiste.

Më tej, Rama shtoi faktin se këto të dhëna janë të parëndësishme në vetvete. Kjo, pasi sipas tij, sepse kartat e identitetit nuk janë ende në nivelin e atyre të vendeve të tjera.

“Do të ishte problem nëse karta do të kishte brenda të dhëna personale si sigurimet shoqërore, kartelat shëndetësore etj. Kështu, është si të të marrin targat e makinës”.

Kryeministri vijoi duke thënë se “presidenti nuk ka pse të shqetësohet se i kanë marrë të dhënat e kartës”. “Askush nuk duhet të shqetësohet”, siguroi ai.

Rama akuzoi Metën për bllokim të qeverisë

Sipas Ramës, Meta kërkoi të pengonte qeverinë socialiste, duke bllokuar ardhjen e vaksinave në Aeroportin e Rinasit.

Kjo, për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit.

Më 7 prill, kontrollorët ajrorë të AlbControl bllokuan gjithë qarkullimin e fluturimeve në Shqipëri, pas një greve të beftë.

Kjo solli një përplasje politike RamaMeta mbi çështjen, me akuza të ndërsjella midis njëri-tjetrit.

Për një ditë, të gjitha fluturimet mbetën pa u kryer. Vetëm më 8 prill, u arrit të hapeshin fluturimet e emergjencës, për ardhjen e vaksinave.

Më 9 prill më pas, situata u normalizua, ku u rihapën edhe fluturimet e pasagjerëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore