Shqipëria

Meta: Agjencitë ligjzbatuese nuk janë përqendruar seriozisht në luftën kundër kanabizimit


Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, ka reaguar për raportin e UNODC në lidhje me kultivimin e kanabisit në Shqipëri, duke shkruar se “krimi i organizuar vijon të mbetet një kërcënim serioz”.

Meta akuzon autoritetet ligjzbatuese për mungesë serioziteti në luftën kundër krimit të organizuar.

“Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Shtetëror, Prokuroria dhe agjencitë ligjzbatuese ende nuk janë përqendruar seriozisht në luftën kundër kanabizimit dhe trafikut të drogës, kusht për integrimin evropian”.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimet, UNODC, ka publikuar raportin e fundit për drogat, ku ka renditur Shqipërinë si një nga vendet kryesore në botë për kultivimin e kanabisit.

Sipas raportit, Shqipëria është e shtata në botë (nga 154 shtete gjithsej) për origjinën, nisjen dhe tranzitin e bimës së kanabisit për periudhën 2016-2019.

Shqipëria renditet pas Marokut, Afganistanit, Spanjës, Holandës, Pakistanit dhe Libanit, duke lënë pas shtete, si: Kirgizistani, Irani, Nepali apo India, e cila zë vendin e dytë në botë për nga numri i popullsisë.

Raporti thekson se kanabisi prodhohet ilegalisht në çdo rajon në botë.

Kultivimi i kanabisit u raportua përmes treguesve direkt (si kultivimi apo asgjësimi i bimëve, ose asgjësimi i fushave të mbjella) dhe treguesve indirektë (sekuestrimi i bimës, raportet mbi origjinën e kanabisit të sekuestruar) nga të paktën 154 shtete për periudhën 2010–2020.

Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara, analiza e treguesve të ndryshëm për periudhën 2010-2020 sugjeron se Shqipëria, e cila zë vendin e parë në rajonin e Evropës Juglindore, ka një kultivim të konsiderueshëm të kanabisit me qëllim eksportimin ose përdorimin e saj të brendshëm.

Sasi heroine e sekuestruar nga autoritetet në Shqipëri

Shqipëria nuk mbeti pa u përmendur edhe në të ashtuquajturën rrugë të Ballkanit për heroinën, që fillon nga Pakistani, kalon nëpër Siri, Turqi, Greqi, Shqipëri dhe përfundon në vendet e Evropës Perëndimore.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore