Kishte jetuar prej vitesh nën hijen e Maradona-s si një asado e pandezur në zgarën e shtëpisë së tij. Fakti ishte një dhe i vetëm.

Diego ose (D10S) siç njihet në kostumografinë e një tifozi Albiceleste, kishte ngritur në qiell një Botëror si një hero “popullor” që gumëzhin ende mureve nga Buenos Aires-i deri në Rosario-n e tij.

Lionel Messi në moshën 35-vjeçare ishte i bindur se kishte ardhur momenti i tij. Si?

Duke qenë protagonist absolut i njërës prej ndeshjeve (finaleve) më të bukura në historinë e futbollit.

Nga ana kinematografike, ky film i zgjatur me metrazh të pandërperë në fushën e futbollit do të mund të dirigjohej vetëm nga një argjentinas që jeton në Francë si, Gaspar Noe.

Ankth, kthesa të papritura, dështime të sukseshme, lot, ndeshje lamtumire dhe triumfi i futbollistit më të madh të kohës (sonë).

Le të mbetet i hapur debati i shëndetshëm i “më të mirit të të gjitha kohërave” si një gol i Francës që shtyu festën por jo trofeun e parë dhe ndoshta të fundit të “La Pulga-s”.

Por, Messi ngulmoi për të thyer secilin rekord që mund të shtonte në bagazhin e trofeve që do marrë me vete nga Katari. Një oaz suksesesh në mesin e shkretëtirës së komenteve keqdashëse dhe jo futbollistike.

Këtu janë të gjitha arritjet personale të Messi-t në Kupat e Botës përgjatë 17 viteve në shifra.

1. Lojtari më i vjetër që ka regjistruar një gol dhe një asist në një ndeshje të Kupës së Botës [kundër Arabisë Saudite] në moshën 35 vjeçare.

2. Lojtari më i vjetër që ka regjistruar një gol dhe një asist në një ndeshje eliminatore të Kupës së Botës [çerekfinalja kundër Holandës, gjysmëfinalja kundër Kroacisë] në moshën 35 vjeçare.

3. Më së shumti kontribute në gola në një Kupë Bote – 21 (13 gola dhe 8 asistime).

4. Ai ka dy fitore të Topit të Artë [Lojtari më i mirë i turneut] – 2014 dhe 2022.

5. Ai është lojtari më i vjetër që ka shënuar shtatë gola në një Botëror në moshën 35-vjeçare.

6. Ndër pesë lojtarët në histori që kanë luajtur në pesë Kupa Botërore [Cristiano Ronaldo, Lothar Matthaus, Rafael Marquez, Antonio Carbajal].

7. Ai ka më së shumti paraqitje në Kupat e Botës – 26.

8. Ai është i dyti për më shumë asistime në Kupat e Botës – 9.

9. Më shumë gola në Kupën e Botës për një lojtar të Argjentinës – 13.

10. Shumica e turneve me të paktën një asistim [2006, 2010, 2014, 2018, 2022].

11. I dyti për më shumë fitore nga një lojtar në Kupat e Botës – 16.

12. Ka luajtur më së shumti minuta në Botëror me 1234 minuta, duke ia kaluar Paolo Maldini-t.

13. Ai është lojtari i parë që shënon në fazën e grupeve, në raundin e 16-të, në çerekfinale, në gjysmëfinale dhe në finale në një edicion të vetëm të Kupës së Botës.

Messi shpallet lojtari më i mirë në Botëror, Mbappe fiton Këpucën e Artë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore