Sport

Mesfusha ka ndezur sinjalin ‘sos’, Juventus-i ka tre emra për janarin


Juventus-i po kalon një sezon jo fortë të mirë dhe reparti më i dobët është ai i mesfushës. Edhe pse aty ka emra me peshë si Manuel Locatelli, Arthur, Aaron Ramsey, Adrien Rabiot, Rodrigo Bentancur dhe Weston McKennie përsëri ajo nuk është në nivelin e duhur.

Vetëm Locatelli, i afruar gjatë merkatos së fundit, ka bindur deri më tani. Javët e fundit ka pasur rritje të nivelit edhe nga amerikani, McKennie.

Për të rregulluar llogaritë në mesfushë, bardhezinjtë synojnë të ndërhyjnë në merkaton e verës. Ramsey dhe Rabiot-i pritet të largohen. Të dy marrin nga 7 milionë euro pagë në sezon dhe nuk i justifikojnë ato para në fushë. Për të dy lojtarët ka kërkesë nga Premier League, ku më i interesuar mbetet Newcastle.

Përsa i përketë merkatos në hyrje, janë tre emra kyç më të përmendur. Të tre lojtarë në skadencë kontrate me klubet aktuale.

Alex Witsel i Borussia Dortmund-it, Denis Zakaria i Borussia Monchengladbach-ut dhe Boubacar Kamara i Marseille-s janë opsionet primare. Gjithashtu opsionet alternative janë edhe Jens Cajuste i Midtjylland-it dhe Manu Kone i Monchengladbach-ut.

E përditshmja torineze “Tuttosport” raporton se gjermanët e Monchengladbach-ut janë të hapur për bisedime përsa i përketë 25-vjeçarit Zakaria. Karakteristikat e lojtarit zviceran janë të ngjashme me ato të Patrick Vieira-s.

Për Witsel-in, megjithëse 33-vjeçari pëlqehet nga trajneri Massimiliano Allegri, bordi drejtues nuk është shumë i bindur pasi kërkojnë lojtarë nën moshën 30-vjeçare.

Dëshira më e madhe per Juventus-in mbetet mesfushori i Monaco-s, Aurelien Tchouameni. Por, për të kanë hyrë në garë edhe Real Madrid-i me Chelsea, duke ja rritur ndjeshëm çmimin e kartonit. Një situatë e tillë nuk është në favorin e bardhezinjëve, ndaj po shqyrton alternativat e mësipërme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore