Lajme

Mes tensionesh, Sllovenia merr presidencën e BE-së


Gjashtë muajt e radhës do të shohin në presidencën e Bashkimit Evropian një vend ballkanik si Sllovenia, mes polemikave me Brukselin dhe sfidës së hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut apo përballimit të pandemisë COVID-19.

Ngërçi i zgjerimit të Bashkimit Evropian, është sigurisht një nga sfidat më të mëdha të gjashtë muajve sllovene në kryesim të unionit.

Portugalia, nuk arriti që të bindte Bullgarinë për heqjes e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut. Rrjedhimit, u bllokua procesi edhe për Shqipërinë.

Kryeministri slloven, Janez Jansa, ka garantuar se gjatë gjashtë muajve të tij në krye të BE-së, heqja e vetos do të arrihet. Pra, do të zhbllokohet procesi i integrimit për dy vendet e Ballkanit Perëndimor.

Mirëpo, kjo presidencë, vjen në një periudhë jo të mirë për raportet Ljubjana-Bruksel.

Jansa njihet për raportet e mira me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban. Ky i fundit, prej javësh, është në një luftë të hapur me Brukselin. Arsyeja, është kalimi në Parlamentin hungarez i një ligji të cilësuar si “anti-LGBTI”.

Madje, disa vende të unionit, kanë bërë thirrje për përjashtimin e Budapestit nga BE-ja.

Por, Jansa nuk ka qenë një ndër këta liderë. Ndaj, kjo ka sjellë shqetësime parandesë ndaj presidencës sllovene.

Një tjetër prioritet do të jetë ai i përballimit të COVID-19. Këtu, nuk bëhet fjalë tashmë vetëm për procesin e vaksinimit – me ritme të mira muajt e fundit – por edhe për rimëkëmbjen ekonomike.

Çështje si raportet me Britaninë e Madhe apo paketat financiare të emetuara duhet të trajtohen nga sllovenët.

Përtej këtyre detajeve, ajo çfarë i intereson Ballkanit, është pikërisht roli që një vend ballkanik, do të ketë në zgjidhjen e ngërçit të krijuar nga një vend sërish ballkanik.

Fati evropian, do të jetë tërësisht i përcaktuar nga faktori ballkanas.

Non-paperes slloven

Sllovenia ishte në qendër të vëmendjes edhe për lajmin që shpërtheu se nga kryeministria e këtij vendi doli një non-paper, dokument jo formal, që propozonte disa ide për ri-rregullimin e Ballkanit Perëndimor.

Ndiqeni dokumentarin e realizuar nga Albanian Post rreth non-paper slloven, por edhe të tjerëve që u publikuan pas tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore