Stil

Mes të vjetrës për të renë – “domosdoshmëria e riciklimit të veshjeve”


Teksa vë këmbë në atelien e stilistes Jona Çuçi, të bie në sy ndërthurja midis së vjetrës dhe modernes.

Mes pëlhurave të vjetra, shumëllojshmërisë së materialeve dhe penjve shumëngjyrësh, ajo zbulon për Albanian Post se ka dhe një lidhje shpirtërore me gjithçka gjendet aty.

“Shumë gjëra i ruaj që nga fëmijëria. Si për shembull, copat e mëndafshta, zinxhirë e kopsa që vështirë t’i gjesh në ditët e sotme”.

Ajo tregon sesi i ka përdorur zinxhirët e gjyshes “me shajakun (material leshi) në veshjet e mia”.

Përpos “dashurisë” që gjen në çdo cep të ateliesë dhe të punëve të saj, Jona sjell shembullin sesi veshjet mund të riciklohen.

Sipas saj, kjo do të thotë një veshje “in”, por edhe disa “para të kursyera më shumë”.

“Shumë nga veshjet janë me materiale të riciklueshme. Copa që unë s’i përdor dot në veshjet e mia, i lë aty, dhe mund t’i përdor si dizajnë në një moment të dytë. Për shembull, për të krijuar një fustan të ri (bëhet fjalë për materiale që kanë edhe vlerë shpirtërore për mua)”.

“Sasia e veshjeve të shpërdoruara në 20 vitet e fundit, me miliona ton”

Sipas studiueseve, industria e veshmbathjeve është përgjegjëse për 10% të të gjitha emetimeve të gazeve serë, me prodhimin e tekstilit që vlerësohet të çlirojë 1.2 miliardë ton gazra serë në atmosferë çdo vit.

Konsumatori mesatar, sipas të dhënave, tani blen 60% më shumë veshje sesa 15 vjet më parë.

Më shumë se dy ton veshje blihen çdo minutë në Mbretërinë e Bashkuar, më shumë se çdo vend tjetër në Evropë.

Në nivel global, rreth 56 milionë ton veshje blihen çdo vit, çka pritet të rritet në 93 milionë ton deri në vitin 2030 dhe 160 milion ton deri në vitin 2050.

Sipas ekspertëve të modës, shkruan e përditshmja britanike “BBC”, 13.6 % e rrobave dhe këpucëve në SHBA përfundojnë në riciklim, ndërsa 37 kg rroba hidhen çdo vit.

Pra, vetëm 12% e materialit të përdorur për veshje përfundon duke u ricikluar, në gjithë botën.

Mospërdorimi apo largimi i pashmangshëm i veshjeve të padëshiruara është kthyer në një problem shqetësues dhe, në shumë raste, shumë veshje hidhen pa qenë nevoja, kur ato mund të riparohen apo të riciklohen.

“Nevoja për riciklim të rrobave, edhe në Shqipëri”

Edhe në Shqipëri, sipas stilistes Jona Çuçi, lypset riciklimi i veshjeve që kini në gardërobën tuaj.

Shoqëruar së bashku me dëshirën, pasionin dhe krijimtarinë ajo thotë se, “secili nga ne mund të ndihmojë në reduktimin e ndotjes së mjedisit, duke ricikluar veshje. Gjithashtu mund të vishemi edhe bukur”.

Me frymëzimin, kujtimet, por edhe materialet e gjyshes, Jona realizon krijime moderne.

“Veshjet e mia ‘flasin’ për klientin. Domethënë sesi vishet ai në jetën e përditshme, në festa, në ambientet e punës dhe kudo”.

“Në qendër të punës sime është klienti, ndërsa përpiqem shumë që ta nxjerr veshjen ashtu si duhet”, thotë ajo, duke na treguar se me këtë qëllim është krijuar projekti i saj me mjete të riciklueshme.

Riciklimi i veshjeve, edhe nga kompani të njohura mode

Riciklimi i tekstilit është procesi me të cilin veshin rroba të vjetra dhe tekstile të tjera për ripërdorim ose ripërtëritje materiale. Kjo është baza për industrinë e riciklimit të tekstilit.

Vitet e fundit është vënë re se disa nga kompanitë e njohura ndërkombëtare, si Ecoalf, Doodlage, Bundgaard Nielsen, H&M kanë nisur prodhimin e veshjeve të ricikluara.

Veshja e parë që është shitur nga H&M, ka qenë një fustan i realizuar me copën e një palë xhinseve të vjetra.

Ndërkohë, kjo kompani ka investuar disa miliona paund në “Worn Again Technologies” të Britanisë, e cila po kërkon të shkojë një hap më tej në revolucionin e riciklimit, duke zhvilluar një teknikë të re për të veçuar dhe ricikluar përzierjet e veshjeve të pambukut dhe poliesterit për herë të parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore