Auto

Mes Hyundai-t, Kia-s dhe Apple-it nuk ka bisedime


Pasi deklaruan se nuk ishin në bisedime me Apple-in për të zhvilluar makina vetdrejtuese, aksionet e kompanive të automjeteve të Koresë së Jugut, Hyundai-t dhe Kia-s, pësuan rënie.

“Nuk jemi duke biseduar me Apple-in për zhvillimin e makinave vetdrejtuese”, ka deklaruar Hyundai.

Sipas agjensisë së lajmeve, CNN, Hyundai ka shtuar se ka marrë kërkesa nga kompani të shumta në lidhje me zhvillimin e makinave elektrike vetdrejtuese, mirëpo ende nuk është marrë asnjë vendim pasi është në fazat e fillimit.

KIA Motors nga ana tjetër, si pjesë e Hyndai Motor Group, referoi deklaratën e kompanisë mëmë duke konfirmuar që edhe ajo nuk ka pasur bisedime me Apple-in për zhvillimin e makinave vetdrejtuese.

CNN shkruan se Apple-i nuk ka pranuar të komentojë për deklaratën e kompanive të automjeteve.

Sipas të dhënave të Eikon Refinitiv, pas konfirmimit nga vet kompanitë se ende nuk ka bisedime me Apple-in, aksionet e Kia-s ranë me gati 15% duke shënuar ditën më të keqe që prej vitit 2001. Kjo ka bërë që të zbriten 5.4 bilionë dollarë nga vlera e saj në treg.

Ndërsa aksionet e Hyundai-t ranë në 6.2% duke humbur rreth 2.8 bilionë dollarë të vlerës së saj në treg.

Kjo situatë në rënie e kompanive koreano-jugore vjen pas rritjes së menjëhershme që ato patën kur mediat vendase raportonin spekulime rreth një bashkëpunimi tê mundshëm mes tyre dhe kompanisë teknologjike, Apple.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore