Lajme

‘Merr jetë’ Shoqata e Përkthyesve Shqiptarë


Përkthyesit shqiptarë tanimë kanë një shoqatë që do t’i përfaqësojë.

Shoqata e Përkthyesve Shqiptarë (SHPSH), e krijuar më 29 mars, ka si president Rexhep Hidën, i cili është dhe drejtuesi i Shtëpisë Botuese “Fan Noli”.

Në një bisedë me Albanian Post (AP), Hida, nismëtari i krijimit të kësaj shoqate, tregon sesi lindi ideja dhe synimet e mëtejshme të saj.

“Duke qenë së e gjithë bota i ka këto shoqata, lindi ideja që ta kishim dhe në Shqipëri”.

Në vijim, presidenti i SHPSH-së tha se, pas kërkesës së Federatës Botërore të Përkthyesve (FIT), pjesë e së cilës është dhe ai vetë, tashmë shoqata u bë realitet.

Rexhep Hida është një emër i njohur në fushën e përkthimit dhe editorisë. Botues, por dhe përkthyes, ai u shpreh për AP-në se “Shoqata është anëtare e Federatës Botërore të Përkthyesve (FIT), ku është akredituar”.

Gjithashtu, si një përkthyes, ai tha se, “Unë vij nga fusha e përkthimeve dhe mendova të krijohej edhe këtu”.

Sa anëtarë ka shoqata?

Hida bëri me dije se, aktualisht, janë anëtarësuar 200 përkthyes, “jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut”.

Ai tha se rrugëtimi, për të mbërritur deri në krijimin e shoqatës, ishte i gjatë. Pandemia e ndali procesin të nisur pothuajse para një viti.

Po ashtu, tregoi se është krijuar nga një grup organizatorësh, është hartuar dhe dokumentacioni përkatës. Mendohet që, në fund të muajit prill apo në fillim të majit, të mbahet dhe ceremonia e inaugurimit të Shoqatës së Përkthyesve Shqiptarë.

I pyetur për qëllimet e shoqatës, tha se “ajo do të ketë rol organizator mes përkthyesve”.

Kështu do t’u jepet mundësia e organizimit të seminareve të ndryshme të përkthimit, ku përkthyesit, por edhe njerëz të letërsisë mund të takohen e të shkëmbejnë mendime.

“Përkthyesit mund të organizojnë simpoziume, workshope, por edhe kongrese”, tha Hida.

Roli i shoqatës do të jetë edhe “mbrojtja e përkthyesit. Për shembull, nëse shteti i kërkon përkthyesit 15% taksë, shoqata do të propozojë që kjo shifër të ulët në 9 ose 6%”, sqaroi ai.

Sakaq, lidhur me krijimin e kësaj shoqate, Albanian Post kontaktoi dhe përkthyesen e mirënjohur, Diana Kastrati.

Ndonëse ajo ende nuk është njohur me programin mirëfilli të Shoqatës së Përkthyesve Shqiptarë, u shpreh mbështetëse.

Sipas Kastratit, e cila është nderuar dhe me titullin honorifik “Cavalieri Della Stella Italiana” nga Ambasada e Italisë në Shqipëri, “krijimi i një shoqate të përkthyesve është gjithsesi risi dhe njëkohësisht mendoj se duhet të ishte bërë prej kohësh”, përmbylli ajo.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore