Bota

Merkel kritika Rusisë për dëbimin e diplomatëve


Kancelarja gjermane Angela Merkel, në një takim virtual me presidentin francez, Emmanuel Macron

Vendimi i Kremlinit për të dëbuar diplomatët e Suedisë, Polonisë dhe Gjermanisë në Moskë, pas pjesëmarrjes së tyre në protestat pro-Navalny, është cilësuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, si “i pajustifikuar” dhe “shumë larg forcës së ligjit”.

Të premten e 5 shkurtit, Ministria e Jashtme në Rusi, bëri me dije se kishte ndërmend të dëbonte diplomatët e tre vendeve.

Kjo deklaratë e Merkel-it, erdhi në një konferencë virtuale me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron. “Përjashtimi i diplomatëve është devijimi ligjor i radhës nga ana e Rusisë”, theksoi kancelarja.

Nga ana tjetër, autoritetet ruse cilësojnë të jashtëligjshme pjesëmarrjen e diplomatëve në protesta. Vetë tubimet për lirimin e Navalny-t, janë cilësuar si anti-kushtetuese nga Moska zyrtare.

Ky mesazh i kancelares gjermane, vjen në vazhdën e kërcënimeve të shumta që Bashkimi Evropian i ka bërë Rusisë për çështjen Navalny. Vendosja e sanksioneve në rastin e mos lirimit të opozitarit rus, është lënë e hapur.

Është një front bashkërendues, i krijuar nga BE-ja dhe SHBA-ja, për të luftuar Kremlinin mbi burgosjen e Navalny-t. Kërcënime për sanksione ka pasur edhe nga kryediplomati amerikan, Antony Blinken, i cili ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të kritikut të Putin-it.

Me shpalljen persona non grata të tre diplomatëve, Rusia jep kundërpërgjigjen e radhës ndaj situatës së krijuar.

Kthimi i Navalny-t në Moskë më 17 janar, rezultoi në arrestimin e menjëhershëm të tij. Protesta masive ndodhën në 24 dhe 31 janar, ku mijëra mbështetës të opozitarit, u arrestuan dhe dhunuar nga Policia Ruse.

Rasti Navalny, po krijon një precedent të radhës të konfliktit BE-Rusi. Unioni po mban një qëndrim të bashkërenduar dhe të palëkundur. Moska zyrtare, po shfaq të njëjtin qëndrim gjithashtu.

Me mos tërheqjen nga akuzat e ngritura ndaj opozitarit dhe dënimin e dhënë nga gjykata, pritet të shihet lëvizja e radhës e BE-së ndaj Rusisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore