Lajme

Mërgimtarët drejt Kosovës – Fillojnë kolonat në pikat kufitare


Kolona- Merdarë

Në prag të festave të fundvitit, mërgata kosovare ka filluar të kthehet në Kosovë. Kjo ka bërë që në pikë kalimet kufitare të Kosovës të krijohen kolona.

Pikë kalimi kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Merdare është më i ngarkuari, andaj atje në hyrje për Kosovë është krijuar një kolonë prej 100 metrash, ndërsa në dalje prej Kosovës sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar (QKMK) thuhet se nuk ka kolonë.

Përveç Merdares, thuhet se ka një fluks të bashkatdhetarëve edhe tek Dheu i Bardhë, të cilët presin nga 20 deri në 30 m në kolonë.

Edhe një pikë tjetër kufitare ka kolonë nga të dyja anët e kufirit. Në Jarinje sipas autoriteteve të Kosovës thuhet se për të dalë nga Kosova është një kolonë prej 10 deri në 20 metra, ndërsa për të hyrë në Kosovë, kolona është nga 20 deri në 30 metra.

QKMK

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar thotë se për hyrjen në Kosovë në Merdarë duhet të pritet së paku 20 deri në 30 minuta, po aq edhe tek Dheu i Bardhë.

Në pikat e tjera kufitare të Kosovës nuk raportohet për pritje dhe kolona.

QKMK-ja të premten e 17 dhjetorit ka njoftuar se janë zbutuar masat pandemike për hyrje në Kosovë.

Shtetasit e Kosovës që futen në territorin e vendit mund të kalojnë kufirin edhe me një test PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë, apo t’u kërkohet karantinimi për periudhë shtatë ditore thuhet në njoftim.

Kurse deri më tani, hyrja në Kosovë ishte e pamundur pa të paktën njërën dozë të vaksinës anti-COVID-19.

“Të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, që tentojnë të hyjnë në Kosovë, përmes pikave kufitare, në rast të mungesës së certifikatës së vaksinimit, për t’ua mundësuar hyrjen, Policia do të kërkojë testin PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë, apo të kërkojë karantinim për periudhë 7 ditore”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore