Auto

Mercedes-Benz tërheq mbi 1 milion makina


Kompania gjermane e automjeteve, Mercedes-Benz, po tërheq më shumë se një milion makina për shkak të një defekti të sigurisë në sistemin e thirrjeve të emergjencës.

Agjensia e lajmeve, BBC, bën me dije se problemi i makinave ka të bëj me tiparin eCall i cili lajmëron shërbimet e urgjencës në rast aksidenti dhe gjithashtu, transmeton vendndodhjen e automjetit.

Përmes gabimit në sistem mundet të ndodhë që vendndodhja e dërguar të jetë e gabuar.

BBC shkruan se problemi në sistem ka prekur 1 milion e 292 mijë e 258 makina në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë, kompania po përgatitet për rregullimin.

Sipas Administratës Kombëtare të Sigurisë, vendimi për tërheqjen e makinave ka ardhur pas vlerësimit të problemit nga vet kompania si një rrezik që nuk mund të përjashtohet.

BBC sqaron se për shkak se problemi ka të bëj me software-in, rregullimi i tij mund të bëhet edhe nëpërmjet një shkarkimi wireless duke përdorur lidhjen ekzistuese të të dhënave të makinës. Nga ana tjetër, nëse kjo nuk do të jetë e mundur për shkak të problemeve të tjera, drejtuesit mund t’i çojnë makinat pranë tregtarëve të autorizuar.

Sistemi eCall është i detyrueshëm në vendet e Bashkimit Evropian për të gjitha ato makina që janë shitur prej vitit 2018.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore