Shëndet

Mënyrat se si pandemia ndikon në funksionimin mendor


Bashkëjetesa me Covid-19 ka ndikuar në formësimin e një jetese të re – shpesh të panjohur e të papritur për ne. Këto ndryshime të vrullshme ndikojnë veçanërisht në funksionimin tonë mendor duke shkaktuar një sërë ngarkesash, të cilat Teoria e Ngarkesës Kognitive i përshkruan më hollësisht se si konkretisht ndikojnë në lodhjen mendore.

Duket se kanë kaluar vite të tëra që kur kemi filluar t’i referohemi jetës në këto “kohë të pasigurta”. Për shkak të pandemisë, rutina jonë është ndërprerë për muaj me radhë tani, e rrjedhimisht ne jemi detyruar t’i përshtatemi jetesës së re.

Thënë duke u bazuar në atë se çfarë secili prej nesh ka tejkaluar, një pasojë madhore është lodhja mendore. Duket se është vështirë të përqendrohesh për çfarëdo kohe, sikur jemi në një gjendje kolektive të shpërqendrimit pothuajse të vazhdueshëm.

“Më dukej sikur kisha një bllokim mendor që më pamundësonte të përqendrohesha në faqe,” thotë shkrimtarja Sophie Vershbow për BBC, e cila në fillim të pandemisë shkroi në Twitter “nuk jam në gjendje të përqendrohem mjaftueshëm sa për të lexuar një libër”, postim i cili u pëlqye më shumë se 2,000 herë.

Por, ajo nuk është e vetmja. Me një kërkim të thjeshtë do të gjeni një mori artikujsh për njerëzit që nuk mund të përqendrohen, përhapjen e ‘mjegullës së trurit’ dhe mënyra të ndryshme se si ta riktheni përqendrimin tuaj, shkruan BBC.

Një teori psikologjike, fillimisht e aplikuar në kontekst të të mësuarit, mund të ndihmojë në shpjegimin pse jetesa në epokën e Covid-19 mund të ketë përmbysur mendjet tona. Është Teoria e Ngarkesës Kognitive (Cognitive Load Theory – CLT), e cila së pari u zhvillua nga psikologu australian John Sweller.

Thënë thjesht, CLT përshkruan mendjet tona si sisteme të përpunimit të informacionit. Kur përballemi me një problem, veçanërisht një të panjohur, ne varemi nga “kujtesa jonë e punës”, e cila është shumë e kufizuar si në kapacitet ashtu edhe në kohëzgjatjen e ruajtjes së informacionit.

Sa më pak që jemi të njohur me një detyrë, aq më shumë varemi nga kujtesa jonë e punës për të manovruar me informacionin përkatës; ndërsa, në të kundërtën, kur jemi ekspertë, shumica e informacionit që duhet të dimë ruhet në kujtesën afatgjate dhe detyrën mund ta përfundojmë përmendësh.

Teoria e Ngarkesës Kognitive ofron një kornizë të dobishme për t’i kuptuar mënyrat e ndryshme që pandemia mund të ketë ndikim të konsiderueshëm negativ në funksionin tuaj mendor.

Së pari, duke na detyruar që të kemi rutina të reja, pandemia ka grabitur aftësinë tonë për të bërë gjëra në mënyrë automatike. Përshtatjet në mënyrën e re të jetesës na detyrojnë të dalim nga pilotimi automatik dhe të shfrytëzojmë kapacitetin tonë të kufizuar të kujtesës së punës. Në zhargonin e CLT-të, “ngarkesa kognitive” natyrale është rritur. Ne kalojmë më shumë kohë duke menduar me paramendim dhe ndërgjegjshëm, më shumë si fillestar sesa ekspert, gjë që është rraskapitëse në vetvete.

Së dyti, hulumtimet e bazuara në CLT tregojnë se si emocionet mund të ndërhyjnë në përpunimin e informacionit. Për shembull, kur jemi në ankth, na zvogëlohet kapaciteti i kujtesës së punës, duke e bërë kështu më të vështirë punën për çdo problem mendor që kërkon zgjidhje të ndërgjegjshme të problemeve.

Së treti, CLT i referohet “ngarkesës së parëndësishme kognitive” – kërkesa për kapacitetin e kujtesës së punës të imponuar nga shpërqendrime që nuk janë direkt relevante në atë që përpiqemi të bëjmë.

Këtu mund të përfshihen detyra dytësore, të tilla si përpjekjet për t’i dëgjuar lajmet përderisa jemi duke punuar, ose mendime të rastësishme që të tërheqin vëmendjen, të tilla si t’i marrësh fëmijët nga shkolla kur shefi ka planifikuar një video takim në të njëjtën kohë.

Ajo se çfarë karakterizon jetën në epokën e Covid-19 është se situata vazhdon të ndryshojë

Ajo që po ndodh është se shqetësimet në jetë të shkaktuara nga pandemia na detyrojnë të shfrytëzojmë kapacitetin tonë të kufizuar të kujtesës së punës më shpesh, në një kohë kur – nëse jemi më të stresuar dhe nivelet e ankthit ngritën, ose jemi duke ekuilibruar detyra dhe angazhime të shumëfishta – ne kemi zvogëluar kapacitetin e kujtesës së punës. Një arsye tjetër pse ndihemi të lodhur mendërisht.

Zakonisht, në kohë trazirash, ne mund të përshtatemi shpejt dhe ngarkesa kognitive bëhet përsëri më e menaxhueshme. Ajo se çfarë karakterizon jetën në epokën e Covid-19 është se situata vazhdon të ndryshojë – qeveritë në mbarë botën vazhdojnë të krijojnë kufizime të reja e më komplekse.

Rregullat e udhëtimit, udhëzimet për vetëizolim, listat e simptomave, aplikacionet e reja të telefonit – mezi kalon një ditë pa një zhvillim të ri për t’u regjistruar dhe bashkëvepruar.

“Çdo situatë e re imponon ngarkesë kognitive në trurin tonë, por fakti që Covid-19 kishte ndikime aq të mëdha shoqërore përçarëse, jemi detyruar që ndoshta të thithim informacione të reja më shpejt sesa që ishim të aftë”, thotë Samuli Laato, studiues në Universitetin “Turku”, i cili ka studiuar rolin e ngarkesës kognitive në sjelljen e pazakontë të përvetësimit të mënyrës se si sillemi gjatë pandemisë dhe në shpërndarjen e gjerë të keqinformimit.

“Në përgjithësi”, shpjegon ai, “pasiguria gjithmonë rrit ngarkesën kognitive. Stresuesit e tillë si kërcënimi shëndetësor, frika nga papunësia dhe frika nga ndërprerjet e tregut të konsumit kanë shkaktuar ngarkesë kognitive. Për më tepër, politikat e punës nga shtëpia u prezantuan globalisht, të cilat kërkonin që njerëzit të përshtaten me teknologji të reja dhe një mënyrë të re të punës”.

Planifikimi dhe vetëdisiplinimi

Fatmirësisht, interpretimi i efektit të lodhshëm mendor të jetës në pandemi përmes lenteve të Teorisë së Ngarkesës Kognitive thekson disa strategji të thjeshta, por efektive e përmirësuese.

Së pari, përpiquni të krijoni rutina të reja dhe t’i zotëroni ato, në mënyrë që të mos mbingarkoni vazhdimisht kapacitetin tuaj të kujtesës së punës për detyra të rëndomta. Nëse i përvetësojmë gjërat bazike të epokës pandemike, nuk do të na duhet të humbasim kapacitet mendor për to.

Menaxhimi i stresit – në çfarëdo mënyre që funksionon për ju – do t’ju ndihmojë ta trajtoni ngarkesën tuaj kognitive.

Së dyti, për shkak se po jetojmë në një epokë të ankthit dhe pasigurisë së shtuar, është e rëndësishme të përpiqemi më shumë të menaxhojmë stresin, në mënyrë që kujtesa jonë e punës të mos mbingarkohet vazhdimisht nga shqetësimi. Kjo nënkupton të ushqehemi mirë, të ushtrojmë dhe të caktojmë një rutinë gjumi, si dhe të gjejmë kohë për aktivitete relaksuese.

Për aq sa ju përshtatet, bëni plane të paparashikuara për aspekte të ndryshme të jetës suaj – përgatitje realiste për skenarë të “frikshëm” mund të jetë një lehtësues i shkëlqyeshëm i ankthit. Po ashtu, pushoni trurin tuaj nga përditësimet lidhur me pandeminë – gjatë një dite (ose të paktën pasdite ose mbrëmje) shmangni lajmet ose bisedat lidhur me pandeminë.

Së fundmi, është e rëndësishme të mos sforconi kujtesën tuaj të punës duke shmangur çdo “ngarkesë të parëndësishme kognitive”. Kjo nënkupton të bëni përpjekje më të mëdha në organizimin e kohës tuaj dhe të jeni të disiplinuar ndaj shpërqendrimeve. Për shembull, kur jeni duke punuar, mos e leni televizionin me lajme në sfond.

Kur jeni duke luajtur me fëmijët tuaj, largoni celularin tuaj që të mos kontrolloni të rejat në internet. Përqendroni mendjen juaj vetëm në një gjë dhe do të shpërbleheni duke u ndjerë më pak të lodhur mendërisht.

Duket sikur do të jetojmë në këtë epokë pandemike edhe për një kohë. Ndërsa ankthi dhe anomalia e vazhdueshme janë lodhëse mendërisht, ngushëllohuni nga fakti që nuk jeni i vetmi që ndiheni kështu.

Truri ynë ka kapacitet të kufizuar përpunimi që po mbërrin kufirin e tij, por me një planifikim të kujdesshëm dhe vetëdisiplinim, ka mënyra për të zvogëluar ngarkesën kognitive dhe për të rizbuluar fokusin tuaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore