Jetesë & Stil

Mënyra e duhur për t’u kujdesur për orkidetë


Të apasionuarit pas luleve padyshim që dëshirojnë të dinë sa më shumë informacione mbi kujdesin e tyre. Si thoni që sot t’ju flasim për orkidenë? Ato janë që prej disa dekadash lulet e preferuara për t’u vënë në shtëpi dhe arsyeja është pamja e tyre elegante dhe delikate.

Por delikate nuk është vetëm pamja e tyre, pasi këto lule kërkojnë gjithashtu një kujdes të madh. Pra, nëse keni vendosur të blini orkide, është mirë të dini si të kujdeseni për to.

Orkidetë janë bimë me rrënjë ajrore dhe do ishte ideale që ato të vihen në vazo që varen në tavan. Ndryshe nga lulet e tjera, ato kanë më shumë nevojë për sfungjer e copa druri sesa për dhe.

Si ujiten orkidetë?

Orkidetë duhen mbajtur në ambiente të ngrohta, por pa i ekspozuar drejtpërdrejt në diell apo pranë burimeve të ngrohjes. Gjithashtu duhet ditur se kanë nevojë për sasi të vogla uji, mundësisht të spërkatur rreth vazos. Duhen të ujiten me pak ujë, por shpesh, deri 4 herë në javë. Nëse shihni se dheu është ende i njomë, mos e ujisni. Dy herë në vit mund të përdorni edhe pleh kimik të shkrirë në ujë.

Si të kujdesemi për lulëzimin e orkideve?

Momenti më delikat i bimës së orkidesë është lulëzimi. Për të mundësuar një lulëzim sa më të gjatë, është mirë të fshihen çdo ditë gjethet me një leckë të lagur. Kjo në mënyrë që të mbahen larg parazitët, të cilët janë shumë të rrezikshëm për lulet.

Cilat janë shenjat negative gjatë kujdesit për orkidetë?

Për të ditur nëse jemi duke gabuar në kujdesin tonë ndaj orkideve, mjafton të njohim disa nga sinjalet negative. Në rast se dallojmë njolla mbi gjethet dhe lulet, kjo do të thotë se bima ndodhet në një ambient shumë të ftohtë dhe duhet zhvendosur në një ambient më të ngrohtë. Po ashtu në rast se gjethet fillojnë të përdridhen dhe nuk dalin bisqe të reja, atëherë bima jonë nuk ka dritë të mjaftueshme. Në rast se gjethet zverdhen, kjo do të thotë që ka shumë dritë.

Duke kuptuar shenjat e duhura dhe duke ndjekur këshillat e mësipërme, lulet tona do të rriten të shëndetshme dhe shumë shpejt do të jemi të detyruar t’u ndërrojmë vazon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore