Lajme

Memorandum përkujtimi për fëmijët e vrarë, e zhdukur gjatë luftës në Kosovë


Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi dhe Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit

Të gjithë fëmijët e vrarë e të zhdukur gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-99, nga tani do të memorializohen.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar memorandum përkujtimi me Universitetin e Prishtinës për zbatimin e këtij projekti.

Ministri Hajrulla Çeku, pas nënshkrimit të memorandumit ka thënë për medie se ky projekt do të fillojë të implementohet nga muaji mars dhe do të përfundojë në muajin gusht, ndërsa në shtator do të kenë materialin bazë në të cilin do ta shpallin edhe konkursin.

“Ftoj të gjithë ata që duan të jenë pjesë e këtij procesi e programi, dhe të konsultimeve, që të na kontaktojnë drejtpërdrejt, përveç mundësisë që do t’ua krijojmë duke ju kontaktuar vet”.

“Grupet e konsultimit parimisht janë prindërit dhe familjarët e fëmijëve të vrarë, të zhdukur apo të vdekur si rezultat i luftës. Gjithashtu synojmë t’i konsultojmë fëmijët e mbijetuar të krimeve të Serbisë në Kosovë, si dhe dëshmitarë të tjerë relevantë”, ka thënë Çeku.

“Ju lutem të na telefononi në 046 222 006 dhe të na shkruani në memoriali [email protected] që të bëheni pjesë e procesit të konsultimeve për projektin e memorialit të fëmijëve të vrarë”, deklaroi ministri Çeku.

Ndërkaq, i lumtur nga ky projekt u shpreh edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, i cili u shpreh se kjo është më e pakta që mund të bëjnë për këtë kategori, derisa tha se janë të gatshëm të kontribuojnë në dizajnimin sa më të saktë metodik të konceptit në mënyrë që rezultati të jetë dinjitoz dhe propocional me qëllimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore