Sport

Pasion dhe sakrificë, rrugëtimi i Melosit drejt suksesit


I ftohti i rrugëve skandinave, vendi i duhur për të ndërtuar një karrierë të suksesshme në sportin tënd të preferuar.

Bëhet fjalë për Melos Nallbanin, i cili, edhe pse larg familjes, por afër suksesit, është një ndër lojtarët më të talentuar të tenisit që ka prodhuar ndonjëherë shqiptaria.

Vetëm 15 i tregojnë vitet, por shumë më shumë i tregon eksperienca e arritur deri tani.

I përkushtuar, i vendosur, plot grint dhe motiv, ai po ecën me hapa të mëdhenj drejt një rruge që do “përgjithmonë” për të arritur majat.

Në rrugët e bukura të Stockholm-it, kryeqytetit suedez, Melosi po formohet në profesionalisht, duke qenë përfaqësuesi i denjë i emrit Kosovë në botë.

Melosi ishte vetëm pesë vjeç kur nisi karrierën në tenis. Sesi filloi gjithçka, ishte me të vërtetë interesante.

“Shkova të shihja disa familjarë teksa luanin tenis”, filloi rrëfimin e tij për Albanian Post Melos Nallbani, “kaq mjaftoi që unë të dashurohesha me këtë sport”.

Pa u menduar dy herë, Melosi nisi edhe karrierën e tij. Trajner të parë kishte Kreshnik Arifin nga klubi i tenisit “Peja”.

Në vijim Nallbani tregon se tenisi i kishte bërë përshtypje, për shkak se është sport individual.

“Frymëzim për mua, si për shumicën, ka qenë i pakrahasueshmi Roger Federer”, u shpreh Nallbani.

I riu tha që, pavarësisht se disa vendime kanë qenë shumë të vështira për t’u marrë, dashuria e madhe për tenisin e ka shtyrë që të rrezikojë.

Prandaj ai shkoi në Suedi, ku, nën menaxhimin e Magnus Norman, në shkollën e tenisit “Good to Great”, vazhdon ende përgatitjet për një eksperiencë të madhe në tenis.

“Fillimi ishte tejet i vështirë për mua, larg familjes dhe çdo gjëje tjetër që dua”, tregoi për Albanian Post 15-vjeçari, “por qëllimi për të cilin erdha këtu, më shtyu të vazhdoja përpara dhe të mos ndalem asnjëherë.”

Për Melosin, momenti kur shkoi në Suedi ishte e vështirë, për një arsye shumë prekëse, të cilën e ka shumë të vështirë ta përmendë.

Në vitin 2017, Melosi humbi babain e tij nga një sëmundje e rëndë, kur ai ishte vetëm 11 vjeç.

Në Pejë, u detyrua të linte pas nënën dhe vëllain e tij të madh, për të ndjekur karrierën e tij në shtetin skandinav.

Melosi thotë që babai i tij i ndjerë vazhdon të jetë motivi i tij kryesor për çdo minutë që ai kalon.

“Motivi më i madh mbeten ata që ikën pa i parë ende frytet e punës së tyre për sukseset tona. Suksesi ynë gjithmonë do t’u dedikohet atyre”.

Fushat e tenisit në Pejë, që janë edhe më të avancuarat në Kosovë në bazë infrastrukturore, mbajnë emrin e Enes Nallbani, në kujtim të veprave të tij dhe kontributit në këtë sport.

Më tej, Melosi flet edhe për Suedinë, ndryshimet me Kosovën dhe synimet e tij për të ardhmen.

“Kultura suedeze dallon shumë nga ajo shqiptare”, thotë Melosi, “por asnjëherë nuk e kam pasur të vështirë të përshtatesha me jetën këtu”.

Edhe pse vjen nga një vend tjetër, lojtari thotë që është pranuar shumë mirë në shoqëri. “Kam shoqëri të zgjeruar, me shumë shokë nga Suedia. Thuajse çdo ditë e kaloj me ta”.

Melosi i është mirënjohës shoqërisë së tij, të cilët gjithmonë i bëjnë me dije se e adhurojnë sakrificën që po bën për hir të karrierës.

Sa i përket ndryshimeve klimaterike, thotë se i ftohti në Suedi nuk i pengon aspak, duke qenë se ngjan me atë të Kosovës.

“Synimi kryesor është prezantimi i shtetit tim në mënyrën më të mirë në arenën ndërkombëtare”, thotë Melosi. “Shpresojmë që shpejt të fillojmë pjesëmarrjen në turnetë ATP dhe, pse jo, më vonë edhe në ato Grand Slam”.

Shqiptari Melosi do të marrë pjesë këtë vit në turnetë e kategorive A, U-18 dhe U-16, me synim që, përmes këtyre kompeticioneve, të sigurojnë edhe pjesëmarrjen e Kosovës në Davis Cup.

Në fund, Melosi jep dhe një mesazh për të gjithë moshatarët e tij:

“Tenisi, apo secili sport nuk është një rrugë e lehtë, por nëse bëhet me dashuri dhe pasion, çdo gjë është e mundur. Prandaj, asnjëherë mos u dorëzoni në realizimin e ëndrrave tuaja derisa të arrini atë çfarë synoni”.

Përveç Melosit, klubi i tenisit “Peja” prodhon edhe shumë talente të tjerë, me shpresë dhe synim, që një ditë të gjithë, pse jo, të përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore