Gatimi

Mëlçi me qepë të njoma, jo vetëm traditë


Një mënyrë për t’i dhënë shije dhe llojshmëri tavolinës suaj është përmes kësaj pjate me mëlçi viçi dhe qepë të njoma. Receta kërkon shumë pak kohë për t’u përgatitur dhe ka përbërës me vlera të larta ushqyese, të cilët gjenden lehtësisht në treg.

Kjo recetë sugjerohet nga shefi i kuzhinës Renato Mekolli.

Përbërësit: 500 gr mëlçi viçi, 100 gr qepë të njoma, 1 tufë kopër, kripë, piper, vaj ulliri.

Përgatitja

Lajmë mëlçitë dhe qepët. Mëlçitë i presim në kubikë të vegjël ose mesatarë sipas dëshirës, ndërsa qepën në pjesë shumë të vogla.

Vendosim një tigan në zjarr, ku hedhim vaj ulliri dhe më pas mëlçitë për t’u skuqur.

Shtojmë qepët e prera imët dhe i përziejmë. Kujdesemi që t’i skuqim deri kur ato të kenë marrë ngjyrë.

Shtojmë pak ujë, kripë, piper dhe kopër. I lëmë në zjarr të ulët derisa të shohim që përbërësit janë lidhur mirë bashkë.

Këshillë

Nëse dëshironi të largoni shijen e fortë të mëlçisë, mund ti vendosni në një tas me qumësht dhe ti lini në frigorifer për 2 orë.

Kujdesemi që të mos i skuqim më shumë seç duhet mëlçitë.

Për më shumë shije dhe aromë mund të shtoni cumin ose spec të kuq.

Mund të shoqërohet me sallatë, kos të freskët apo pjata anësore si pure patatesh, perime ose oriz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore