Lajme

Meksikë/ Shembet mbikalimi i metrosë, të paktën 23 viktima


Pas shembjes pjesërisht të një mbikalimi të metrosë, në kryeqytetin e Meksikës, Mexico City, të paktën 23 njerëz humbën jetën dhe rreth 70 të tjerë u plagosën mbrëmjen e së hënës. Lajmi u bë i ditur nga autoritetet e mbrojtjes civile në Meksikë.

Pamjet në televizionin vendas, Milenio TV, treguan mbikalimin duke u shembur mbi makina që po kalonin poshtë vagonëve të varur.

Kryebashkiakja e Mexico City-t, Claudia Sheinbaum, shkroi në Twitter se një kolonë mbështetëse kishte rënë, duke sjellë shembjen e mbikalimit.

Kishte ende njerëz të bllokuar brenda trenit, megjithëse “nuk e dimë ende nëse ata janë gjallë”, tha Sheinbaum.

Kryetarja e Bashkisë tregoi se të paktën një makinë ishte bllokuar nën rrënoja dhe punëtorët e urgjencës po kërkonin për të mbijetuarit.

Aksidenti ndodhi rreth orës 10:30 pasdite me kohën lokale në Linjën 12 të metrosë, e njohur gjithashtu si Linja e Artë, e cila u hap në vitin 2012.

Linja u ndërtua, kur ministri aktual i Jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard, ishte kryebashkiak i Mexico City.

“Ajo që ndodhi sot me Metro është një tragjedi e tmerrshme. Solidariteti im me viktimat dhe familjet e tyre”, shkroi Ebrard në Twitter.

“Sigurisht, shkaqet duhet të hetohen dhe përgjegjësitë të mbahen. E ritheksoj: jam në dispozicion të autoriteteve për të ndihmuar në çdo gjë që është e nevojshme”.

Metroja e Mexico City-t, e quajtur zyrtarisht “Sistema de Transporte Colectivo”, është sistemi i dytë më i madh i metrosë në Amerikën e Veriut pas Metrosë së qytetit të New York-ut. Në vitin 2019, Sistema de Transporte Colectivo, u shërbeu 1.655 miliardë pasagjerëve.

Sistemi i metrosë ka pasur të paktën dy aksidente të rënda që nga përurimi i tij gjysmë shekulli më parë. Në mars të vitit të kaluar, një përplasje midis dy trenave në stacionin Tacubaya la një pasagjer të vdekur dhe plagosi 41 të tjerë. Në vitin 2015, një tren që nuk ndaloi në kohë u përplas me një tjetër në stacionin e Oqeanisë, duke plagosur 12 persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore