Lajme

Mekë, vetëm myslimanët e “imunizuar” do të lejohen të kryejnë pelegrinazhin e Umrah-s


Autoritetet në Arabinë Saudite, kanë deklaruar, të martën e 6 prillit, se gjatë muajit të shenjtë të  Ramazanit, vetëm myslimanët që janë vaksinuar kundër Covid-19, do të lejohen të kryejnë pelegrinazhin e Umrah-s.

Ndryshe nga haxhi, pelegrinazhi më i shkurtër i Umrah-s është jo i detyrueshëm dhe mund të kryhet në çdo kohë të vitit.

Ministria e Haxh-it dhe Umrah-s njoftoi se tre kategori njerëzish do të konsideroheshin “të imunizuar”: ata që kanë marrë dy doza të vaksinës; ata që administruan një dozë të vetme të paktën 14 ditë më parë; dhe njerëzit që kanë kaluar virusin.

Vetëm ata njerëz do të kenë të drejtë për leje për të kryer Umrah, si dhe për të marrë pjesë në lutjet në Xhaminë e Madhe në qytetin e shenjtë të Mekës.

Gjithashtu i njëjti kusht vlen dhe për hyrjen në xhaminë e Profetit në qytetin e shenjtë të Medinës.

Ministria tha se këto masa do të hynë në fuqi në fillim të Ramazanit, por ishte e paqartë se sa do të zgjasnin.

Nuk ishte gjithashtu e qartë nëse politika, e cila vjen në mes të një rritjeje të infeksioneve të Coronavirus-it në mbretëri, do të shtrihej në haxhin vjetor më vonë këtë vit.

Arabia Saudite ka raportuar më shumë se 393 mijë raste atkive me coronavirus dhe 6 mijë e 700 vdekje nga Covid-19.

Ministria e Shëndetësisë e mbretërisë, tha se kishte administruar më shumë se 5 milionë vaksina kundër coronavirus-it. Popullsia e vendit numëron më shumë se 34 milionë njerëz.

Mbretëria priti haxh-in në fund të korrikut të vitit të kaluar.

Vetëm 10 mijë banorë të Arabisë Saudite u lejuan të marrin pjesë, krahasuar me 2.5 milionë myslimanë nga e gjithë bota që morën pjesë në vitin 2019.

Është e paqartë se sa pelegrinë do të lejohen të kryejnë haxh-in këtë vit.

Në një bilanc të ulët të rasteve më Covid-19, tetorin e kaluar, Arabia Saudite hapi Xhaminë e Madhe për lutje për herë të parë në shtatë muaj dhe pjesërisht rinisi pelegrinazhin e Umrah-s.

Umrah zakonisht tërheq miliona myslimanë nga e gjithë bota çdo vit.

Autoritetet thanë se Umrah do të kthehet në kapacitetin e plotë sapo situata e pandemisë të qetësohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore