Kosova

Mehmetaj në Special i quan gënjeshtra pretendimet e ZPS për keqtrajtime në Zllash


Brahim Mehmetaj

Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Brahim Mehmetaj, në cilësinë e dëshmitarit të thirrur nga trupi i mbrojtjes së ish-komandanti të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka thënë se ai vet asnjëherë nuk ka marrë pjesë në arrestimin e ndonjë personi apo mbajtjes së njerëzve në ndonjë qendër ndalimi në Zllash.

Për Mehmetaj këto janë gënjeshtra të bëra nga persona të cilët kanë pasur qëllime të caktuara.

Mehmetaj në ditën e dytë të dëshmisë së tij para trupit gjykues i ka mohuar të gjitha pretendimet e prokurores Silvia D’Ascoli, e cila e ka pyetur atë se nëse ai ka marrë pjesë në arrestimin apo edhe lirimin e personave nga një qendër ndalimi në Zllash.

“Mund të quaj lirisht gënjeshtra të vitit, në cilin vit është thënë nuk e di por, besoj se është gënjeshtra më e madhe që është thënë ndonjëherë. Nuk kam marrë pjesë asnjëherë në asnjë arrestim, në asnjë vend”, ka thënë Mehmetaj.

“Çështja e ndalimit apo e keqtrajtimit janë tema që janë komplet gënjeshtra të caktuara, nuk kanë të bëjnë me mua dhe jam përgjegjës para drejtësisë, sikur që do të duhet të merrnin përgjegjësi edhe njerëzit që kanë sajuar gënjeshtra dhe ju kanë lajthitur ju prokurorinë për më futur mua brenda grupit kriminal”, ka thënë ai.

Salih Mustafa

Prokurorja më tej ka thënë se mospërputhja në mes të deklaratave që dëshmitari i ka dhënë ZPS-së në intervistën e mëparshme dallon me ato që po jep sot.

Lidhur me këtë, Mehmetaj ka thënë se mund të ketë harruar ndonjë detaj për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar nga lufta e fundit në Kosovë.

Mehmetaj më tej ka potencuar se asnjëherë më parë nuk ka dëgjuar se anëtarë të BIA-s kanë keqtrajtuar njerëz dhe se këtë e ka lexuar aktakuzën e prokurorisë.

Ndryshe të enjten ka përfunduar dëshmia e Brahim Mehmetaj që është dëshmitari i parë i mbrojtje në gjyqin ndaj Salih Mustafës, aktakuza ndaj të cilit është konfirmuar më 12 qershor 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore