Lajme

Mehaj uron Erdoganin: Do të vazhdojmë bashkëpunimin në fushën ushtarake


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj e ka uruar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për fitoren në zgjedhjet presidenciale që u zhvilluan këtë të diele.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Mehaj ka thënë se pret që të rritet bashkëpunimi mes të dyja palëve.

“Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (YTS) në Republikën e Turqisë, Partia Drejtësi dhe Zhvillim me kandidat Presidentin Recep Tayyip Erdogan ka fituar zgjedhjet presidenciale”.

“Prandaj përgëzoj Presidentin Erdogan dhe uroj që të përmbush premtimin e tij për luftimin e inflacionit ekonomik si dhe rimëkëmbjen e vendit pas tërmetit me pasoja katastrofale që u përballen në shkurt të këtij viti”, ka shkruar Mehaj.

Teksa bashkëpunim më të madh ai ka thënë se pret që të kenë në fushën ushtarake.

“Si dy shtete aleate do të vazhdojmë bashkëpunimin në fushën ushtarake, gjithmonë në mbrojtje te paqes dhe stabilitetit të gjithmbarshëm”.

Ashtu siç ishte parashikuar, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan ka fituar këtë të diel të 28 majit zgjedhjet presidenciale të vendit.

Kjo pas një balotazhi me kundërshtarin e tij kryesor, kreun e opozitës, Kemal Kilicdaroglu.

Erdogan arriti të merrte 52.07 % të votave ndërsa Kilicdaroglu 47.93 %.

Të dyja agjencitë kryesore të lajmeve “Anadolu” dhe “Anka” e kanë projektuar atë fitues të zgjedhjeve  – kjo me  99.08 % të kutive të numëruara.

Kreu i Këshillit Zgjedhor, Ahmet Yener, tha se numri i votave të numëruara është mbi 26 millionë.

Por fitorja e Erdogan është cilësuar si më “e ngushtë nga sa pritej”.

Më shumë se 64.1 milionë njerëz ishin të regjistruar për të votuar, duke përfshirë mbi 1.92 milionë të cilët tashmë kanë votuar në qendrat e votimit jashtë shtetit.

Gjithsej 191 mijë e 885 kuti votimi ishin ngritur për votuesit në vend. Votimi jashtë shtetit u mbajt deri më 24 maj.

Miliona votues shkuan në kutitë e votimit më 14 maj për të zgjedhur presidentin e vendit dhe anëtarët e Parlamentit prej 600 vendesh.

Aleanca Popullore e Erdoganit fitoi një shumicë kundër Aleancës Kombeve gjashtëpartiake të opozitës në Parlament.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore