Lajme

Mehaj: Kosova gati ta ndihmojë Greqinë pas tërmetit


Ministri i Mbrojtjes ne Kosove, Armend Mehaj

Kosova, përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës, është gati ta ndihmojë Greqinë pas tërmetit të mbrëmjes së 9 janarit, lëkundjet e të cilit u ndjenë edhe në Kosovë dhe vende të tjera të Ballkanit.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, i cili, përmes llogarisë së tij në Facebook njoftoi se tashmë ka vënë kontakte me shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Greqisë në Kosovë, Chryssoula Aliferi.

“I shpreha gatishmërinë dhe vullnetin tonë të plotë për të mbështetur autoritetet greke me aftësitë dhe kapacitetet tona specialistike të FSK-së për reagimin, menaxhimin, tejkalimin dhe sanimin e pasojave të mundshme”, shkruan Mehaj.

Tërmeti i mbrëmshëm u regjistrua në veriperëndim të Florinës, në Greqi.

Dridhja e parë ishte me magnitudë 5.4, derisa 10 minuta më vonë u ndje një tjetër me 4.1 shkallë të Rihterit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore